Turqi – Kamikazët hedhin veten në erë pranë Ankarasë

Dy kamikazë kanë hedhur veten në erë pranë Ankarasë, pasi policia u kërkoi atyre të dorëzohen.

Sipas mediave turke, militantët, që besohet se janë një mashkull dhe një femër, dyshohet se po planifikonin të kryenin një sulm me bombë.

Policia madje ka lënë të kuptohet se ata mund të ishin të lidhur me rebelët kurdë. Çifti u gjet nga forcat e rendit teksa fshihej në një stallë kuajsh në rajonin Haymana, në afërsi të kryeqytetit, ndërkohë që në makinën e tyre u gjetën eksplozivë plastik dhe 200 kilogram nitrat amoniumi, i cili shërben si lëndë për ndertimin e bombave.

Guvernatori i Ankarasë tha se një përson i tretë, i dyshuar për lidhje me çiftin është në kërkim.

Militantët kurdë kanë zhvilluar një seri bombardimesh përqark Turqisë, që kur armëpushimi u prish në 2015.

Presidenti turk, Erdoan ka premtuar se Partia e Punës së Kurdistanit, e cila ka hapur një luftë 4 dekada të gjatë ën Turqi, do të zhduket tërësisht.

Por teksa, sulmet vazhdojnë dhe armiqësia mes kurdëve dhe shtetit turk thellohet, ka pak shenja se kryengritja do të përfundojë, pasi asnjëra prej palëve nuk ka treguar gatishmëri për t’ju rikthyer negociatave të paqes.

Të enjten 10 persona u plagosën si pasojë e një sulmi me bombë pranë një rajoni policie në Stamboll. Freedom Hawks, degë e PKK, morën përgjegjësinë e ngjarjes.