Turqi – Sulm në një disko në Stamboll, 39 të vdekur, mes tyre 15 të huaj

Së paku 39 persona kanë vdekur nga sulmi në një klub nate në Stamboll, mes tyre 15 janë shtetas të huaj, ndërsa 69 të tjerë u plagosën. Lajmin e konfirmoi edhe ministri i Brendshëm i Turqisë.
Sulmi ka ndodhur në klubin e natës Reina, në zonën Ortakoj, rreth orës 01:30 sipas kohës lokale.
CNN turk raporton se një sulmues ka qenë i veshur me kostum të Babagjyshit të Vitit të Ri kur ai ka hapur zjarr me automatik ndaj turmës. Agjencia e lajmeve Dogan njofton se disa dëshmitarë kanë thënë se sulmuesit “kanë folur arabisht”, ndërsa ai vijon të jetë ende i lirë.
Rreth 700 njerëz thuhet se kanë qenë në klub në kohën e sulmit.
Klubi, i njohur si për banorët lokalë, ashtu edhe për turistë, ndodhet pranë urës Bosfor, në anën evropiane të Stambollit. Disa njerëz janë hedhur nga ura, në përpjekje për të shpëtuar, raportojnë mediat lokale.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka qenë në mesin e udhëheqësve të parë ndërkombëtarë që ka dënuar sulmin.
Stambolli ka qenë në gjendje gatishmërie, me rreth 17,000 policë në detyrë, si pasojë e disa sulmeve terroriste që kanë ndodhur muajve të fundit.
Përgjegjësinë për to e kanë marrë herë militantët e grupit Shteti Islamik dhe rebelët kurdë.
Më pak se dy javë më parë, ambasadori rus në Ankara, Andrei Karlov, është qëlluar për vdekje nga një polic turk.
_93195291_966fda17-317e-431a-88ea-480a4409705f _93195680_b8cc1d25-3861-4006-a002-b5f95124d6df