Turqia beson se Gulen fshihet pas vrasjes së ambasadorit rus

Turqia ka informuar Shtetet e Bashkuara se beson se mbështetësit e klerikut mysliman, Fethullah Gulen, me seli në SHBA, janë përgjegjës për vrasjen e ambasadorit rus në Ankara.

Agjencia shtetërore turke, Anadolu, ka raportuar se ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, gjatë një bisede telefonike i ka thënë sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, se “Turqia dhe Rusia kanë dijeni se organizata e Gulenit ka dorë në sulmin”, ku u vra ambasadori rus, Andrei Karlov.

Por një zëdhënës i Gulen ka hedhur poshtë këto akuza të cilat i konsideron shfajësime të Turqisë që ka dështuar me garantimin e sigurisë në vend.

Turqia kishte kërkuar ekstradimin e klerikut Gulen, që jeton në azil në Pensilvani të Shtteve të Bashkuara, lidhur me puçin e dështuar ushtarak kundër presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në muajin korrik të këtij viti. Por Departamenti amerikan i drejtësisë kërkon dëshmi bindëse për fajësinë e  Gulen, para se të veproj lidhur me kërkesën për ekstradim.