Turqia i shpall “luftë” ISIS, 460 të arrestuar në një operacion masiv

Policia turke ka ndërmarrë një operacion masiv në të gjithë territorin për arrestimin e personave të dyshuar si anëtarë të Shtetit Islamik.

Rreth 460 të dyshuar, shumica prej tyre shtetas të huaj, u arrestuan në të paktën 18 krahina, njoftoi të dielën agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu.

Të paktën 60 persona u arrestuan në kryeqytetin Ankara, 150 të tjerë në Sanliurfa në juglindje të Turqisë dhe 47 në qytetin e afërt të Gaziantep, në kufi me Sirinë.

Në krahinën e Egjeut, provincë në Izmir, forcat e sigurisë arrestuan nëntë persona të dyshuar si anëtarë të ISIS, të cilët dyshohen se po pregatisnin një sulm terrorist.

18 persona të tjerë u arrestuan në Stamboll dhe provincen fqinje të Kocaelit, të cilët gjthashtu dyshohet se po planifikonin sulme.

Ndërkohë 14 shtetas të huaj, përfshirë 10 fëmijë, u ndaluan për shkak se do të deportohen.

Ky është operacioni më i madh antiterrorizëm i zhvilluar nga Turqia, përmes të cilit shteti turk jep edhe një mesazh për vendosmërinë për të luftuar grupin e armatosur.

Turqia ka vuajtur nga sulme të shumta, të realizuara apo frymëzuar nga ISIS.

Rasti më i fundit ishte sulmi në klubin e natës “Reina” në Stamboll gjatë festimit të ndërrimit të viteve, në të cilin u vranë 39 persona. ISIS mori përgjegjësinë e sulmit

Me 16 janar, policia arrestoi autorin e dyshuar, Abdulgadir Masharipov, një shtetas uzbek dhe autoritetet thanë se ai ka pranuar autorësinë e masakrës.

Trupat turke janë të angazhuar edhe në betejat kundër luftëtarëve ISIS në qytetin sirian të Al-Báb-it. Të paktën 48 ushtarë turq janë vrarë deri më tani.