Turqia mbyll 20 televizione

20 televizione dhe stacione radiofonike janë mbyllur në Turqi pasi janë akuzuar nga Ankaraja për propagandë terroriste. Disa prej tyre akuzohen për mbështetje të organizatës FETO, ndërkohë që pjesë tjetër transmetonte materiale në gjuhën kurde. Ky vendim nuk është pritur mirë nga BE-ja dhe nga organizatat që mbrojnë të drejtat e njeriut pasi sipas tyre, ky është një kufizim i lirisë së medias. Nga ana tjetër, zyrtarët e Ankarasë kanë argumentuar se këto media përbënin kërcënim për sigurinë kombëtare.

Turqia ka mbyllur 20 televizione dhe stacione radiofonike, mbi akuzat e propagandës terroriste pas tentativës për grusht shteti.

Zyrtarët kanë arsyetuar se këto kanale i shërbenin grupimeve të ndryshme, të cilat Ankaraja i konsideron si organizata terroriste.

Disa prej mediave akuzohen se kanë ndihmuar organizatën ‘FETO’ që sipas qeverisë turke drejtohet nga kleriku Fetullah Gylen dhe ka për qëllim që të shkaktojë destabilitet në vend.

Gjithashtu, në rradhët e televizioneve dhe radiove që janë mbyllur futen edhe disa kanale rajonale që transmetonin në gjuhën kurde.

Vendimi i Turqisë nuk është pritur mirë nga vendet perëndimore, të cilat kanë shprehur shqetësimin se gjëndja e jashtëzakonshme, që është shpallur nga Presidenti Rexhep, Taip Erdogan, po përdoret për të eliminuar zërat opozitarë dhe kundërshtarët e tij politikë.

Gjithashtu, një qëndrim të njëjtë kanë mbajtur edhe një sërë organizatash që mbrojnë lirinë e medias, të cilat nënvizuan se kjo politikë po cënon një sërë të drejtash.

Megjithatë, nuk kanë qënë të të njëjtit mendim zyrtarët e Ankarasë. Ata shtojnë se numri i mediave që do të mbyllen do të rritet në ditët në vijim, pasi autoritetet kanë gjykuar se disa prej tyre përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare.

Që prej tentativës për grusht shteti, Turqia ka ndërmarrë një aksion në mbarë vendin duke arrestuar dhe shkarkuar nga detyra mijiëra persona.

Për këtë çështje, zyrtarët e BE-së kanë patur debate në distancë me Ankaranë, duke kërkuar që vendi t’i përmbahet parimit të sundimit të ligjit.

Ndërkohë, Presidenti Erdogan ka propozuar zgjatjen e gjëndjes së jashtëzakonshme edhe për tre muaj të tjerë.