Turqia prezanton dy raketa të reja

 

Turqia do të zbulojë dy raketat e saj të reja gjatë një ekspozite armësh që pritet të zhvillohet në Stamboll. Raketat quhen Gokdogan dhe Bozdogan, të cilat do të shfaqen në Panairin e 13-të Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes (IDEF), që mbahet në Stamboll nga data 9 deri në 12 maj.

Raketat janë krijuar nga Instituti i Kërkimeve dhe Zhvillimit të Industrive të Mbrojtjes (SAGE), një degë e Këshillit Shkencor dhe Teknologjik të Kërkimeve të Turqisë (TUBITAK).

Zyrtarët turq thonë se raketat do të rrisin forcën ajrore të Turqisë.

IDEF është mbajtur çdo dy vjet që nga viti 1993 në Turqi me pjesëmarrjen e përfaqësuesve qeveritarë dhe të sektorit të biznesit nga e gjithë bota.

Gjatë panairit të industrisë së mbrojtjes së teknologjisë së lartë, pothuajse 800 kompani nga më shumë se 50 vende do të paraqesin makinat, pajisjet dhe sistemet e fundit që përdoren në industrinë e mbrojtjes, sigurisë, ato detare, aviacionit dhe hapësirës.