Turqisë po i ikin ushtarët, po kërkojnë azil në NATO

Kanë kaluar disa muaj që nga grushti i dështuar kundër shtetit në Turqi. Me mijëra të arrestuar e që së fundmi, mediat Turke raportojnë se një numër ushtarakësh turq të angazhuar në NATO, kanë kërkuar azil në vendet anëtare të aleancës.

Turqia ka shkarkuar, pezulluar, dënuar e arrestuar me mijëra persona që prej grushtit të dështuar të shtetit në korrik të këtij viti. Shumë prej tyre janë ushtarakë, megjithëse ka edhe mësues, policë, gjykatës dhe gazetarë.

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg është shprehur se ata kanë kërkuar azil në vendet anëtare ku kanë qenë stacionuar fill pas grushtit të shtetit, por nuk dha as emra dhe as shifrën e tyre.

“Disa oficerë turq që punojnë në strukturat komanduese të NATO-s, kanë paraqitur kërkesa për azil në vendet ku janë duke punuar”, tha Stoltenberg.

Sipas tij, do të jenë vetë vendet anëtare të NATO-s ku janë dorëzuar këto kërkesa për azil që do të vendosin për to, duke përjashtuar mundësinë që kjo të trajtohet në kuadër të Aleancës. Në shënjestrën e qeverisë turke janë personat që dyshon se kanë lidhje me klerikun Fethullah Gylen, i cili akuzohet se qëndron pas grushtit të shtetit. Vetë Gylen e ka mohuar këtë.