U hap Shtabi i Forumit Rinor të BDI-së, Bejta: Rinia sot mburet me qytetin e Gostivarit

Përmes një ceremonie solemne është hapur  Shtabi i Forumit Rinor të Bashkimit Demokratik për Integrim, dega në Gostivar.
I pranishëm në këtë eveniment të Forumit Rinor ishte kryetari i Shtabit Zgjedhor, njëherit kryetari i degës dhe nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Nevzat Bejta.
“Ne sot mburremi me qytetin e Gostivarit. Në vitin 2005 duhej të bëj ndryshime në qytet, sepse Gostivari ishte një fshat. U deshtë të rrënohen 1400 objekte pa leje që Gostivari të merr pamjen e një qyteti. Shumë punë u  bënë në mandatin e parë dhe shumë punë i realizuam në mandatin e dytë. Ne sot duhet të jemi krenar për qytetin tonë. Kemi një shoqëri të mrekullueshme. Informatat që i kam nga organet e rendit tregojnë që brenda ditës rreth 300 vetura vijnë nga qytetet e tjera për të qëndruar në Gostivar. Jemi qytet i qetë dhe nuk kemi incidente. Kemi lokale shumë të mira dhe kemi një shoqëri mikpritëse”, tha mes tjerash kryetari Nevzat Bejta duke kujtuar që pikërisht nga radhët e Forumit Rinor kanë dal kuadro që sot na qeverisin.
“Qyteti i Gostivarit nga viti 2002 dhe deri sot ka pasur një rol shumë të madh. Kemi pasur gjashtë ministra, nëntë deputet, tre zëvendësministra, rreth 700 drejtorë dhe shumë punësime. Gostivari sot pozicionohet mirë edhe në listën e kandidatëve për deputet. Kemi tre kandidatë në kombinime fituese, dhe si me BDI-në Gostivari as ka qenë edhe as që do të jetë i përfaqësuar më mirë në asnjë subjekt politik”, tha Bejta.
Kryetari i Forumit Rinor të degës së BDI-së në Gostivar, Visar Rustemi tha që rinia e këtij subjekti politik duhet të jetë i lumtur, sepse, pikërisht sot nga radhët e Forumit Rinor kemi ministër që udhëheq me Ministrinë e Drejtësisë.
“Pyetja e parë që shpesh e dëgjojmë në bisedat mes rinistëve në Gostivar është se sa vlen rinia në BDI. Çka bën BDI për rininë. Për këtë temë kemi shumë për të folur, por duke dashur të kursej kohën tua të çmuar do të përmend vetëm disa momente më të rëndësishme, duke filluar nga ajo që gati 80 % e punësimeve janë nga radhët e rinisë. Sa vlen rinia në BDI kemi edhe përgjigje tjetër. Rinia në BDI është e përfaqësuar në çdo organ partiak, dhe jo vetëm me fjalë rinia gjen vend edhe në statusin e BDI-së. Kemi edhe një argument, emërimin e ministrave të ri dhe shumica prej tyre janë forumi rinor. Ne rinia e Gostivarit kemi edhe një nder të veçantë. Po nga grupi ynë, nga kjo rini kemi edhe ministrin e Drejtësisë, z. Valdet Xhaferin dhe kjo është një krenari për ne si Forum Rinor”, tha mes tjerash Rustemi.
Fjalë rasti mbajt edhe ministrja Shiret Elezi potencoi që Gostivari duhet të krenohet me rininë që ka, sepse sot Rinia e Gostivarit është gjeneratë e përgatitur dhe gati për çdo sfidë profesionale dhe shoqërore.
“Unë jam e bindur që secili prej jush ka mëndur se si të gjeje një rrugë zhvillimi, një rrugë që të rinjve do të ua jap dyert e suksesit. Dhe, këtë rrugë do ta gjeni tek Bashkimi Demokratik për Integrim, parti me ide të qarta për zhvillimin e vendit. Bashkimi Demokratik për Integrim është parti e cila është e popullit dhe ka meritën e mbajtjes gjallë aspiratën pro demokratike dhe pro perëndimore të shqiptarëve. BDI është parti e hapur për kontributin e njerëzve të ndershëm dhe qëllim mirë”, tha Elezi duke ftuar rininë të jep kontributin e vet në këtë subjekt politik.
Të pranishmit i përshëndeti edhe njeriu që deri para disa vitesh drejtonte me Forumit Rinor të Gostivarit, ministri aktual i Drejtësisë, Valdet Xhaferi.
“Tashmë nuk diskohet fitorja e Bashkimit Demokratik për Integrim. Të gjitha partitë politike, qofshin partitë opozitare shqiptare apo partitë maqedonase e dinë se BDI në bllokun politik shqiptar do të del fituese. Ne kërkojmë fitore absolute në mënyrë që BDI të jetë çelësi i të ardhmes, BDI të jetë çelësi i vendosjes së ekzekutivit. Në bllokun politik maqedonas, rezultati pritet të jetë i ngushtë, prandaj platforma e BDI-së do të vendos për të ardhmen e Maqedonisë”, tha ministri Xhaferi.
Në këtë eveniment, krahas drejtuesve të institucioneve qendrore e lokale të pranishëm ishin edhe kandidatët për deputetë nga radhët e BDI-së në Gostivar, zonja Mirsada Emini – Asani, Talat Xhaferi dhe Jamin Sinani.