Universiteti i Tetovës dhe Universiteti i Ilinoisit Verior nga SHBA organizuan konferencë shkencore për ndikimin e politikës amerikane në vendet e rajonit


Universiteti i Tetovës, në bashkëpunim me Universitetin e Ilinoisit Verior nga Çikago e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, organizuan konferencë shkencore me temë: ,,Ndikimi i politikës amerikane në promovimin e demokracisë, paqes, shtet-ndërtimit, mëkëmbjes ekonomike, si dhe mbrojtjes së vlerave kombëtare, fetare dhe qytetare në vendet e rajonit”.
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, në hapjen e konferencës theksoi se kjo konferencë ka tubuar studiues eminentë të skenës politike kombëtare dhe rajonale, shkencëtarë të njohur në fushën e politikës, kulturës dhe ekonomisë, të cilët kanë dhënë dhe po japin vazhdimisht kontributin e tyre të çmuar në fushat që ata përfaqësojnë. ,,Më lejoni që në emër të Universitetit të Tetovës dhe në emrin tim personal të shpreh kënaqësinë për organizimin e përbashkët të Konferencës shkencore, me temë: ,,Ndikimi i politikës amerikane në promovimin e demokracisë, paqes, shtet-ndërtimit, mëkëmbjes ekonomike, si dhe mbrojtjes së vlerave kombëtare, fetare dhe qytetare në vendet e rajonit. Organizimi i kësaj konference shkencore me karakter ndërkombëtar, vjen si rezultat i themelimit të Qendrës për Paqe dhe Menaxhim Transkulturor nga Universiteti ynë dhe Universiteti i Ilionisit Verior nga Çikago e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Duke pasur në fokusin e saj tematikën e lartpërmendur, konferenca e sotme ka tubuar studiues eminentë të skenës politike kombëtare dhe rajonale, shkencëtarë të njohur në fushën e politikës, kulturës dhe ekonomisë, të cilët kanë dhënë dhe po japin vazhdimisht kontributin e tyre të çmuar në fushat që ata përfaqësojnë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, demokracia më e zhvilluar dhe konsoliduar në botë, janë shndërruar në promotorë dhe mbështetësit kryesorë të vlerave universale edhe në rajonin tonë. Të udhëhequr nga parimi i lirisë, si e drejtë themelore për të gjithë popujt, populli amerikan në momentet më të vështira ishte në krah të popujve që kërkonin realizimin e të drejtave të tyre. Këtu mjafton të përmendim angazhimin e autoriteteve amerikane për forcimin e institucioneve në vend dhe demokratizimin e shtetit të së drejtës”, tha Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Ai, po ashtu shtoi se, studiues të njohur të marrëdhënieve ndërkombëtare, rritjen e ndikimit të SHBA–ve në mbarë botën, kanë vlerësuar se ky shekull është shekull i amerikanëve dhe roli i tyre është me rëndësi të veçantë për popujt që nuk mund të projektojnë forcë. ,,Progresi dhe zhvillimi në shtetet e rajonit tonë, në kushte të tranzicionit të stërzgjatur paraqet sfidë për qeveritë dhe institucionet respektive, por forcimi i marrëdhënieve politike, ekonomike, arsimore me SHBA-të dhe perëndimin në tërësi, ka bërë që konteste të ndryshme të zgjidhen më me lehtësi. Gadishulli Ballkanik edhe më tej mbetet si fushë aterrimi dhe zbarkues të rinj e të vjetër, dhe kjo situatë vjen si rezultat i vonesave të shumta të shteteve të rajonit në strukturat euroatlantike, mirëpo, këtij shqetësimi me politikat e tyre ndërmjetësuese i janë përgjigjur miqtë tanë amerikanë. Diplomacia amerikane i ka shtuar veprimet diplomatike në rajonin e Ballkanit për të zhbllokuar proceset politike në shtetet tona dhe për t’i hapur rrugë reformimit në shumë sfera, si: në gjyqësor, në reformimin e administratës publike, në përfaqësimin proporcional në piramidën shtetërore e të gjitha komuniteteve, në shërbimin e mirë qytetar, pa dallim kombi, race dhe feje dhe në perceptimin e drejtë të fenomenit që quhet integrim euroatlantik. E gjithë kjo, veç tjerash, ka ndikuar në reformimin edhe të procesit arsimor, si në nivel të arsimit fillor dhe të mesëm, po ashtu edhe në nivel të arsimit sipëror”, shtoi mes tjerash Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Prorektori i Universitetit North Illinois nga Cikago e SHBA-ve, Prof. Dr. Bradley Bond vlerësoi se themelimi përbashkët i Qendrës për Paqe dhe Menaxhim Transkulturor nga dy universitetet është një hap shumë i rëndësishëm në promovimin e vlerave të përbashkëta të dy popujve. ,,Është kënaqësi për mua që ndodhem sot këtu në mesin tuaj, është mundësi e mirë që të gjithë këtu së bashku të njihemi ndërmjet vete. Para 6 muajsh, gjatë një vizite në një vend tjetër, të pranishmëve u tregova se Universiteti i Tetovës është një partner shumë i rëndësishëm në Ballkan, i Universitetit North Ilinois dhe, se bashkërisht kemi themeluar edhe Qendrën për Paqe dhe Menaxhim Transkulturor, me seli në hapësirat e Universitetit të Tetovës. Përmes kësaj Qendre, dy universitetet tona sot organizojnë edhe konferencën shkencore të radhës, konferencë e cila trajton ndikimin e politikës amerikane në promovimin e demokracisë, paqes, shtet-ndërtimit, mëkëmbjes ekonomike, si dhe mbrojtjes së vlerave kombëtare, fetare dhe qytetare në vendet e rajonit. Ky aktivitet, si dhe aktivitetet e tjera të përbashkëta që i kemi realizuar dhe që planifikojmë t’i realizojmë në të ardhmen, janë shembull i mirë i promovimit të përbashkët të ideve dhe vlerave të popujve tanë dhe me këtë ndërtohen urat e lidhjes së miqësisë mes dy komuniteteve”, theksoi Prof. Dr. Bradley Bond.
Po ashtu, u tha se organizimi i një konference të këtillë shkencore nuk kontribuon vetëm në ngritjen e urave të miqësisë midis popujve të rajonit, por me këtë potencial shkencor që ka, ajo do të ndihmojë në kuptimin më të mirë të fenomeneve, të problemeve të shoqërisë sonë në të gjitha fushat: në politikë, ekonomi, kulturë, gjuhë, etj., dhe si e tillë do të ruajë traditën e bashkëpunimit mes dy universiteteve, për të kultivuar edhe më tej kulturën e komunikimit mes komunitetit akademik.
Zyra për informim