Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup do të zgjerohet me Gazetari dhe Gerontologji

Pa mbushur një vjet nga funksionimi dhe pa nis punët për ndërtimin e një objekti, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup synon të zgjerojë me programe të reja studimore dy nga pesë fakultetet e saja ekzistuese, shkruan gazeta KOHA. Nuk jepen informacione të detajuara se me çfarë programesh do të begatohet oferta e UNT-së për vitin e ardhshëm akademik 2017/2018, pra se në cilat fakultete dhe për çfarë drejtime të reja bëhet fjalë. Megjithatë, nga UNT konfirmojnë se janë duke punuar në këtë drejtim.

“Këshillat mësimor-shkencor të fakulteteve kanë përgatitur materialin e duhur për programe të reja. Ne jemi në procedurë e sipër për verifikimin e tyre brenda Universitetit dhe së shpejti do ti dorëzojmë për procedurë në Këshillin e Akreditimit”, deklarojnë ato për Koha.

Jozyrtarisht flitet për dy-tre programe të reja të shkencave teknike, si dhe për dy programe tjera në kuadër të Fakultetit të Shkencave Sociale e që janë të lidhura me gazetarinë dhe gerontologjinë (përkujdesjen ndaj të moshuarve). Konkretisht, thuhet se programi “Media dhe Komunikim Ndërkulturor” do të ketë dy profile atë të Gazetarisë dhe Komunikimit dhe se bashkë me programin e Gerentologjisë, do të bëhen pjesë e Fakultetit të Shkencave Sociale.

Me gjithë interesimin për të verifikuar vërtetësinë e këtyre informacioneve, në përgjigjen e kthyer me shkrim nga Zyra për komunikim me opinionin, shmangin të japin hollësi lidhur me çështjen e zgjerimit të UNT-së me programe të reja studimore.