Universiteti Shtetëror i Tetovës – u mbajt konferenca e dytë shkencore ndërkombëtare (ICSD 2016)

Universiteti Shtetëror i Tetovës – Në UT u mbajt konferenca e dytë shkencore ndërkombëtare (ICSD 2016)

Universiteti i Tetovës, në bashkëpunim me Universitetin Teknik Yildiz, Universitetin Marmara dhe Universitetin e New York-ut në Tiranë, organizuan konferencën e dytë të radhës me karakter ndërkombëtar (ICSD 2016), me temë: ,,Zhvillimi i qëndrueshëm”. Kjo konferencë është përmbajtjesore dhe interdiciplinare, me tematika bashkëkohore, si: Qëndrueshmëria ekonomike, socio – kulturore, mjedisi, ushqimi, shëndeti i qëndrueshëm dhe energjia e qëndrueshme.

Konferencën e shpalli të hapur dekani i Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tetovës, Doc.dr. Raman Ismaili. Ai vlerësoi se në ditët e sotme bota në përgjithësi përballet me probleme dhe sfida të mëdha të dimensionit të qëndrueshmërisë. “Për fat të keq, mund të themi se koncepti i zhvillimit të qëndrueshëm nuk është aq i përfillur dhe i zhvilluar, jo vetëm tek ne, por edhe në vendet e rajonit dhe më gjerë. Arsyet për këtë situatë janë të shumta, por arsyet më të forta morale janë ato që brezi i sotëm t’ju len në trashëgimi gjeneratave të ardhshme, jo më pak mundësi për zhvillim nga ajo që ata kanë sot. Mu për këtë, nevoja e kohës mobilizon të gjithë institucionet relevante të arsimit të lartë, sidomos ato që kanë misione të tilla, dhe  janë përgjegjës legjitim që të identifikojnë dhe të ndikojnë  në atë që vendi, konceptin e qëndrueshmërisë ta ndërtojë mbi baza të një infrastrukture të përshtatshme, në përputhje me standardet e BE-së, ekonomi të bazuar në njohuri dhe përdorim efikas të burimeve natyrore, efektivitet dhe produktivitet të lartë, njerëz të pasur e të arsimuar, mjedis të ruajtur, trashëgimi historike e kulturore të ruajtur, shtet në të cilin do të ekziston partneritet korrekt mes sektorit publik, privat dhe atij civil, me mundësi të barabarta për gjithë qytetarët e saj”, tha Doc.dr. Raman Ismaili.

Në emër të Universitetit New York të Tiranës foli Prof. dr. Agim Mamuti. Sipas tij, konferenca do të sjell prurje të reja në lëmin e zhvillimit të qëndrueshëm. “ICSD 2016 siguron një platformë akademike ideale për studiuesit, për t’i paraqitur studimet dhe prurjet më të reja nga lëmi i zhvillimit të qëndrueshëm, për çështjet e mjedisit jetësor, ushqimit dhe shëndetit, energjisë, ekonomisë dhe çështjet sociale dhe kulturore. Konferenca ka për qëllim të kontribuojë në paraqitjen e rezultateve e studimeve të reja nga të gjitha aspektet e zhvillimit të qëndrueshëm.

Konferenca ka për qëllim t’i tubojë shkencëtarët akademikë, studiuesit dhe shkencëtarët hulumtues më në zë, t’i këmbejë dhe shpërndajë përvojat dhe rezultatet e tyre hulumtuese në të gjitha aspektet e zhvillimit të qëndrueshëm. Kjo konferencë paraqet forum ndërdisiplinor kryesor për shkencëtarët, inxhinierët dhe mjekët, ku ata do t’i paraqesin rezultatet, idetë, zhvillimet dhe aplikimet më të reja hulumtuese në të gjitha fushat e zhvillimit të qëndrueshëm”, u shpreh Prof.dr. Agim Mamuti.

Në këtë konferencë u trajtuan tema me karakter shkencor dhe profesional, të sfiduara nga zhvillimet e qëndrueshmërisë dhe u prezantuan mbi 180 punime shkencore. Punimet e konferencës u zhvilluan gjatë dy ditëve ku morën pjesë mbi 200 studiues nga vendi, rajoni dhe bota./antpress