Uragani Irma ‘shkatërron’ Karaibet: Dy ishuj pothuajse të pabanueshëm

Uragani Irma ka përhapur shkatërrim në mbarë Karaibet, duke rrënuar ndërtesat dhe duke lënë të paktën shtatë viktima.

Ishulli i vogël i Barbudës zor se mund të banohet më, ndëra St Martin është pothuajse i shkatërruar.

Sipas “Fox News” numri i të vdekurve ka gjasa të rritet.

Uragani Irma, stuhia më e fuqishme e Atlantikut ka goditur ishujt e Karaibeve, ndërkohë që zyrtarët paralajmërojnë për efekte edhe me katastrofike.

Uragani është shndërruar në një stuhi të kategorisë së pestë, duke u konsideruar nga sinoptikanët si një stuhi “jashtëzakonisht e rrezikshme”, me erëra që arrijnë deri në 250 kilometra në orë.

Në Key West të Floridës është urdhëruar evakuimi i detyrueshëm.

Mijëra njerëz janë evakuuar nga zonat e rrezikut të lartë në mbarë Karaibet. Banorët janë dyndur në dyqane për ushqim, ujë dhe furnizime emergjente.

Aeroportet janë mbyllur në disa ishuj, të cilat janë destinacione popullore për turistët, dhe autoritetet u kanë bërë thirrje njerëzve të shkojnë në strehimoret publike.

Ndërkohë, dy stuhitë e tjera janë forcuar jashtë mase dhe priten të shndërrohen në uragane.

Më shumë se gjysma e banorëve të Puerto Rikos janë pa energji elektrike, ndërkohë që ishulli kërcënohet nga shirat dhe erëra të forta