USAID nuk komenton aktivitetin e SOROS-it në Maqedoni

Drejtori i Misionit të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Maqedoni Xhejms Stajn nuk pranoi të komentojë drejtpërdrejt shkrimet në disa media pro-qeveritare se qytetarët amerikanë përmes USAID-it, i financojnë politikat e miliarderit amerikan Xhorxh Soros në Maqedoni. Sipas tij, shoqëria aktive civile është baza e demokracisë.

“Ne nuk kemi asgjë të veçantë për të thënë në lidhje me të, ne besojmë se shoqëria civile e drejtë dhe aktive është baza e demokracisë dhe për këtë periudhë në Maqedoni kemi punuar me qindra organizata, për të ndihmuar ato përmes përpjekjeve konstruktive, që së bashku me qeverinë të punojnë në forcimin e demokracisë, sepse qeveria si e tillë është më përgjegjëse”, deklaroi Xhejms Stajn, drejtor i misionit të USAID-it në Maqedoni.

Stajn sot mori pjesë në konferencën e dymbëdhjetë ndërkombëtare për shqyrtimin e fakteve dhe ndikimin e teknologjive të reja në gazetari, të organizuar nga Fondacioni Metamorfozis në Shkup. Nga Këshilli mbi Etikën në media theksuan se etika ka rënë në mënyrë drastike,
dhe problemi më i madh është të gjendet zgjidhje për mediat online.

“Interesi privat është primar për gazetarin, pa iu dridhur qerpiku për pasojat e një raporti të tillë. Pastaj, si të harrojmë gjuhën e urrejtjes se është një vepër penale dhe diskriminimi në baza të ndryshme. Gjithashtu gazetarët më shumë duan të komentojnë, se sa të informojnë dhe të punojnë me fakte”, u shpreh Mirçe Adamçevski, Këshilli i Etikës.

Pjesëmarrësit e konferencës thanë se është e nevojshme të bëhet një ekuilibër në mes lirisë së shprehjes, por edhe të ketë përgjegjësi për atë që thuhet publikisht.

Alsat-M

https://youtu.be/s7yJZ6y83i0