UT ORGANIZOI KONFERENCË SHKENCORE PËR SHËN TEREZËN

Në nderim të shenjtërimit të figurës madhështore, universale, të shenjtores shqiptare, Universiteti i Tetovës organizoi disa aktivitete kushtuar shenjtërimit të Nënë Terezës. Me vendosjen e kurorave me lule para pllakës përkujtimore në kryeqendrën e vendit, në Shkup, nga drejtuesit e UT-së, më 7 nëntor 2016 dhe hapjen e ekspozitës Mozaik e artit pamor kushtuar personalitetit të Nënë Terezës, nga piktori akademik Miftar Memeti, Universiteti ynë i filloi aktivitetet kushtuar shenjtërimit të nobelistes shqiptare, Nënë Tereza. Mozaiku i pikturave kushtuar Nënë Terezës, i ndërtuar nga një numër artistësh, u hap me rastin e fillimit të punimeve të Konferencës shkencore, me temë: “Jeta, veprimtaria dhe humanizmi i shenjtores Nënë Terezë”. Këto aktivitete i shpalli të hapura Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti. Ai, me këtë rast, para të pranishmëve tha se në universitetin tonë ne kemi organizuar ngjarje dhe aktivitete të panumërta me karakter arsimor dhe shkencor, kemi shënuar përvjetorë të ndryshëm të historisë sonë kombëtare, kemi përuruar publikime, revista dhe vepra të rëndësishme të personaliteteve më eminentë, kombëtarë dhe ndërkombëtarë, por sot, si asnjëherë më parë ndjehemi të lumtur dhe jemi krenarë që Universiteti ynë i fillon zyrtarisht aktivitetet kushtuar shenjtërimit të Nënë Terezës, nobelistes, shenjtores shqiptare, humanistes më të madhe që ka njohur bota. “Universiteti i Tetovës, qendra më e rëndësishme arsimore dhe shkencore e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë, ndër vite i ka kujtuar dhe nderuar përfaqësuesit më të denjë të kombit tonë, të gjithë ata që përfaqësojnë vlerat unike të kombit shqiptar, si në arsim, shkencë dhe kulturë. Ndaj sot, në emër të Universitetit të Tetovës ju uroj mirëseardhje në këtë ceremoni madhështore, në hapjen solemne të Ekspozitës së Prof. Dr. Miftar Memetit, kushtuar Nënë Terezës, projekt ky që do të vijojë më pas me punimet e Konferencës shkencore, me temë: ,,Jeta, veprimtaria dhe humanizmi i Nënë Terezës”. Viti 2016, viti i Ismail Kadaresë, gjeniut të letrave shqipe, i Adem Demaçit, simbolit të rezistencës shqiptare, i Rexhep Qosjes, akademikut dhe kolosit të letërsisë shqipe dhe shumë e shumë personaliteteve të tjera, kulmoi më 4 shtator me shenjtërimin e Nënë Terezës, nga Selia e Shenjtë në Vatikan. Ky vendim ishte dhe do të mbetet nderimi më i madh që Shenjtëria e Tij, Papa Françesku i bëri kombit shqiptar dhe mbarë njerëzimit. Me shenjtërimin e saj, Selia e Shenjtë e përjetësoi humanizmin e pakufishëm të Nënë Terezës, humanistes shqiptare, gruas së sjellshme dhe të mire që gjithmonë ishte pranë varfanjakëve, të sëmurëve, pleqve dhe fëmijëve jetimë”, tha Prof. Dr. Vullnet Ameti. Ai, po ashtu shtoi se shenjtërimi i Nënë Terezës përjetësoi vlerat e personalitetit të saj me përmasa gjigante, shenjtores që jetoi mes njerëzish, që ua mësoi atyre bujarinë, zemërgjerësinë, bamirësinë, dhembshurinë, mëshirën dhe altruizmin. “Ne shqiptarët jemi me fat që i takojmë kombit të Nënë Terezës, që Ajo e përfaqësoi me vlerat dhe virtytet që sot i njeh e gjithë bota. Sukseset e mëdha të çdo qytetërimi janë realizuar gjithmonë nga një numër i vogël mendjesh të ndritura. Ato sintetizojnë të gjitha përpjekjet e një race, të një kombi, të një epoke të caktuar. Nënë Tereza personifikon shembullin më tipik të qytetërimit dhe humanizmit të shekullit të saj, si një gjeniale universale, sa shqiptare dhe botërore, sa tokësore dhe qiellore. Teodor Laço, një tjetër krijues i spikatur i letërsisë shqipe, thoshte se Ismail Kadare dhe Nënë Tereza janë lavditë që kombi ynë i ka dhuruar botës. Për shenjtoren e dashurisë, të urtësisë dhe mëshirës, personalitete eminente të mbarë botës kanë dhënë vlerësimet më të larta, për të janë publikuar me qindra vështrime në revistat më prestigjioze të botës, janë botuar dhjetëra libra për veprimtarinë, humanizmin dhe dashurinë e saj të pakufishme. Ne vlerësojmë se, bordi drejtues dhe referuesit pjesëmarrës në konferencën e sotme do të trajtojnë dhe do të prezantojnë studime të rëndësishme shkencore, të padëgjuara deri më sot për jetën dhe veprën e humanistes shqiptare me prejardhje nga Shkupi”, theksoi mes tjerash Prof. Dr. Vullnet Ameti. Autori i ekspozitës, njëherit edhe Dekan i Fakultetit të Arteve, Prof. Dr. Miftar Memeti u shpreh se në projektin ,Mozaik kushtuar figurës së Nënë Terezës kanë marrë pjesë një numër i madh artistësh. “Ideja e këtij projekti filloi nga muaji shkurt i këtij viti dhe filloi të punohet bashkërisht me 56 artistë, kuptohet kolegë të Fakultetit të Arteve dhe me studentë që kanë diplomuar në këtë fakultet, por që janë aktivë në krijimtarinë e tyre artistike. Dua ta falënderoj Rektorin, Prof. Dr. Vullnet Ameti për mbështetjen që na ka dhënë gjatë realizimit të këtij projekti, si dhe ish ministrin e Arsimit dhe Shkencës të vendit tonë. z. Abdilaqim Ademi, i cili e ka përkrahur këtë projekt bashkë me pronarin e Restorantit ,,Arra”, z. Ibrahim Dehari, si dhe përfaqësues të ndryshëm të medies”, nënvizoi Prof. Dr. Miftar Memeti. Ndërsa biografi i Nënë Terezës, Don Lush Gjergji, duke komentuar punën e piktorit Miftar Memeti dhe organizimin e konferencës shkencore kushtuar Nënë Terezës, para auditorit citoi tri parime të cilat e kanë udhëhequr dhe frymëzuar Shën Terezën. “Nëna Tereza na ka përfaqësuar sa ishte në këtë botë, para mbarë botës dhe jemi ndjerë të lumtur kur ishin momentet kulmore, siç ishte ai i shpërblimit ,,Nobel” për paqe, me 10 dhjetor të vitit 1979, kur botërisht tha: “unë e kam në zemër popullin tim shqiptar, lus Zotin që paqja e tij të arrijë në familjet tona, në popullin tonë dhe botën mbarë, luteni Zotin për fukarenjtë e mi dhe për mua, unë lutem për Ju”, ishin më se njëmijë e dyqind gazetarë nga mbarë bota, e lexoi shqip e përktheu anglisht dhe para të gjithëve ma dhuroi dhe e ruaj si një thesar shpirtëror të saj. Unë dua të them vetëm tri parime që e kanë frymëzuar dhe udhëhequr Nënën Terezë, parimi i parë është, pa dashuri dhe flijim jeta s’ka kuptim, parimi i dytë është, vetëm dashuria do ta shpëtojë botën, dhe parimi i tretë i saj ishte, veprat e dashurisë janë vepra të paqes”, deklaroi Don Lush Gjergji. Për Mozaikun foli edhe Doc. Dr. Mixhait Pollozhani, i cili vlerësoi se momenti më kreativ i sendërtimit të këtij projekti qëndron pikërisht te gërshetimi i modernes me posmodernen dhe montimi i minipikturave të megaportretit. “Nëpërmjet ndërlidhjes së procesit artistik me përvoja të ndryshme stilistike, si dhe duke i bërë bashkë: veten, kolegët, veprën dhe publikun, piktori Miftar Memeti kësaj radhe në mënyrë më transparente ka vënë koherencë: tradicionalen me bashkëkohoren, racionalen me irracionalen. Në këtë mënyrë ka koduar artistikisht edhe njëherë portretin e tanimë të shenjtores shqiptare, Nënë Tereza. Vetë figura e Nënë Terezës, tani më të shenjtëruar, përbën subjekt artistik të Pop Artit. Ndërkaq montimi i portretit dhe shpalosja e ekspozitave përcjellëse përmbajnë elemente të performancës”, vlerësoi Doc. Dr. Mixhait Pollozhani. Në konferencën me temë: “Jeta, veprimtaria dhe humanizmi i shenjtores Nënë Terezë”, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti paraqiti kumtesën e tij me temë: ,,Shën Tereza nga Shkupi – kulti i modern i mishërimit të të gjitha vlerave universal njerëzore, ndërsa shoqëruesi personal i Nënë Terezës për dy dekada, Msgr. Dr. Leo-M. Maasburg u paraqit me kumtesën e tij me temë: “Shën Tereza një ikonë e mëshirës”, ku foli mbi personalitetin dhe vlerat e saj, duke shtuar se Nënë Tereza ishte shembull i humanizmit në gjithë botën. Në konferencën kushtuar Nënë Terezës i pranishëm ishte edhe Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, si dhe shumë personalitete të tjera. Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, për shoqëruesin personal të Nënë Terezës, Msgr.Dr. Leo-M. Maasburg, Ipeshkvin e Kosovës Dodë Gjergji, biografin Don Lush Gjergji dhe Anton Sereçin ndau nga një dhuratë simbolike me portretin e Nënë Terezës. Zyra për informim