VALË DORËHEQJESH NË AKI: PRITET LARGIMI I INSPEKTORIT SHKËLZEN SOPJANI

Pas dorëheqjes së drejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Agron Selimaj, një gjë të tillë pritet ta bëjë së shpejti edhe Inspektori i Përgjithshëm në këtë institucion, Shkëlzen Sopjani.

Insajderi mëson prej burimeve të veta se Sopjani do të ofrojë dorëheqjen e tij për të evituar shkarkimin ndërsa arsyeja e largimit të tij është për shkak të keqpërdorimeve të shumta në AKI.

Insajderi ka raportuar të enjten se AKI, institucion ky në varësi të kryeministrit, i kishte dhënë tender për riparimin e një veturë kompanisë që është pronë e djemve të Kryeministrit Mustafa. Sopjani dyshohet se ka ndërhyrë që ky tender t’i jepet djemve të kryeministrit.

Insajderi ka kontaktuar me Sopjanin i cili nuk ka dashur të komentojë lidhur me mundësinë e largimit të tij.

“Më tregoni ju mua”, ka thënë ai, kur është pyetur nëse do të japë dorëheqje.  Pastaj, ai ka refuzuar të përgjigjet në pyetje të tjera, para se të ndërpriste bisedën telefonike.

Të premten në mbrëmje, tashmë ish-drejtori i AKI-së, Agron Selimaj njoftoi krerët e shteti se ka dhënë dorëheqje.

Në letrën dërguar Kryeministrit Isa Mustafa dhe Presidentit Hashim Thaçi nuk janë dhënë detaje të arsyes së dorëheqjes.

Por, Insajderi kupton se ashtu sikurse Sopjanit, edhe Selimajt i është kërkuar dorëheqja në mënyrë që të shmanget shkarkimi./Insajderi.com