Vazhdon seanca për zgjedhjen e Qeverisë së Maqedonisë, përplasje mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së

Debati rreth përbërjes dhe programit të qeverisë së re me mandatar liderin e LSDM-së, Zoran Zaev do të vazhdoj edhe sot.

Votimi i qeverisë duhet të përfundoj më së voni deri në mesnatë

Debati në Kuvendin e Maqedonisë për zgjedhjen e Qeverisë së re po përcillet me polemika të shumta mes deputetëve të shumicës së re dhe VMRO-së opozitare, e cila akuzon LSDM-në dhe partitë shqiptare, që do të jenë pjesë e ekzekutivit, për shkelje të rregullores lidhur me drejtimin e seancës, por edhe për programin e ekzekutivit të mandatarit, Zoran Zaev.

Deputetët e partisë së ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, në fjalimet e tyre thanë se LSDM-ja që në seancën e sotme ka nisur me realizimin e siç theksojnë “Platformës së Tiranës”, pasi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi – të cilin nuk e njohin në këtë post, por vetëm si deputet -seancën e ka nisur në gjuhën shqipe.