Vdekja e turistes ruse, gjykata lë në burg të dyshuarin

Gjykata e Sarandës vendosi të mbajë në qeli për 45 ditë shtetasin Ermal Fataj, i dyshuar si personi që goditi me një mjet uji turisten ruse, Ksenia Ryok, e cila kishte zgjedhur Ksamilin për të kaluar disa ditë pushime.

Bazuar në të dhënat e prokurorisë, gjykata vendosi masën e sigurisë 45 ditë burg, duke i dhënë kohë hetuesve të sigurojnë të tjera prova fajësie.

Gjithashtu, gjykata kërkoi aktin e ekspertizës për të përcaktuar shkakun e plotë të vdekjes së turistes.

Prokurorët thanë se turistja 15-vjeçare kishte hyrë për t’u larë në ishujt e Ksamilit dhe më pas disa pushues kishin vërejtur që trupi i saj po pluskonte pa jetë mbi ujë.

Pas dyshimeve se viktima mund të ishte goditur nga një mjet lundrues, prokurorët konstatuan fije floku në helikën e skafit që po drejtohej nga Fataj dhe kjo mendohet të jetë e vetmja provë fajësie deri më tani.

Por i dyshuari mohon të jetë përgjegjës për ngjarjen, pasi sipas tij, nëse do ta kishte goditur të ndjerën do kishte marrë masa për t’i ardhur në ndihmë.