Vdes 35-vjeçari nga Maqedonia pas zënkës me policinë gjermane

Një shtetas 35-vjeçar nga Maqedonia, ka vdekur të martën pas një përleshje me policinë gjermane, të shkaktuar në një qendër tregtare në Maastricht. Gjatë një kontrolli nga policia gjermane, ai ka kundërshtuar dhunshëm dhe me këtë rast, të ndihmuar edhe nga kalimtarët e rastit, policia ka arritur ta shtrijë përtokë. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, ai është ngulfatur.

Një patrullë policore ka dashur të kontrollojë, në një qendër tregtare një shtetas refugjat nga Maqedonia, kur papritmas ai i sulmon oficerët e policisë. Edhe përkundër faktit se policia ka përdorur sprej për ta neutralizuar atë, 35-vjeçari nuk ka mundur të vihet nën kontroll të tyre. Tre dëshmitarë të ngjarjes, ndër ta edhe një polic civil, më në fund kanë arritur ta shtrijnë shtetasin maqedonas përtokë.

Sipas informatave të dëshmitarëve, me këtë rast, ai është ngulfatur dhe e ka humbur vetëdijen. Ai është dërguar menjëherë në spital, ku edhe pas pak kohësh ka ndërruar jetë. Por, sipas asaj që shkruajnë mediet gjermane, policia i ka mohuar pohimet se ai është ngulfatur, përcjellë „Shtegu.com“. Rasti është duke u hetuar edhe me ndihmën e videokamerave në afërsi.