Vdes ish-Ministri i Brendshëm, bie aksidentalisht nga kati i shtatë

Ish-Ministri i Rendit Publik në vitet ‘91-’92, Lavdim Hysi ka gjetur vdekjen pasi është rrëzuar aksidentalisht nga kati i shtatë i një pallati.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00 të mesditës së sotme në lagjen Nr.13, tek Shkëmbi i Kavajës.

65-vjeçari me banim në Tiranë ka qenë në banesën e motrës së tij.

Policia thotë se Hysi ka hipur në një shkallë në ballkonin e apartamentit për të prerë degët e pemevë dekorative të mbjella në vazo, nga ku ka rrëshqitur dhe është rrëzuar në tokë.

Viktima ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për vlerësim, si ngjarje aksidentale.

Lavdim Hysi ka qenë Ministri i Parë i Rendit Publik pas rënies së komunizmit.Ai qëndroi vetëm një vit në këtë post, ku u zëvendësua nga Bashkim Kopliku.