Vdes vajza 8 vjeçe, e aksidentuar në përplasjen mes dy kosovarëve

Ka vdekur vajza 8-vjeçare e cila kishte pësuar lëndime të rënda në përplasjen mes të dy kosovarëve në autostradën A5 të shtunën në Kantonin Aargau, Zvicër. Këtë njoftim e jep aaraguerzeitung.ch duke iu referuar shkollës në qytetin Aarau ku vijonte mësimet 8-vjeçja.

E ndjera kishte qenë në makinën e nënës së saj, një kosovare 26 vjeçe, të ndalur në shiritin ndihmës të autostradës, kur një makinë tjetër, e kishte goditur atë, transmeton albinfo.ch. Edhe shoferi i makinës së dytë qëlloi të ishte kosovar!

Vajza, me plagë të rënda ishte transportuar me helikopter për në spital.

“Shkolla Aarau është kapluar nga pikëllimi për vajzën, e cila ka vdekur si pasojë e një aksidenti trafiku”, thuhet në një njoftim të kësaj shkolle. Sipas saj, nxënësit do të kenë trajtim psikologjik nga udhëheqja e shkollës dhe punënjësja socialë.

Kosovarja dhe djali i saj 9- vjeçar si dhe shkaktari i përplasjes, shoferi i makinës tjetër, kanë pësuar lëndime të lehta në këtë përplasje.

Prokuroria Publike Lenzburg-Aarau ka iniciuar hetimet për zbardhjen e shkaqeve që sollën te aksidenti, përcjell albinfo.ch. Ndërsa policia i ka marrë patentën, shoferit shkaktar të aksidentit.