Vehbi Kajtazi shpërblehet për gazetari hulumtuese nga Bashkimi Evropian

Kryeredaktori i Gazetës Online Insajderi, Vehbi Kajtazi, është shpërblyer me çmimin e tretë për gazetari hulumtuese të ndarë nga Bashkimi Evropian.

Kajtazi është shpërblyer për serinë e shkrimeve në kuadër të “Dosjes së Shefave” të publikuar vitin e kaluar.

Përmes disa bisedash telefonike të përgjuara të Adem Grabovcit me Hashim Thaçin, Kadri Veselin e të tjerë, “Dosja e Shefave” ka dëshmuar se si këta njerëz e shtrijnë kontrollin dhe ndikimin e tyre mbi secilin institucion te Kosovës, përfshirë këtu edhe në sistemin gjyqësor e prokuorial, Policinë e Kosovës, universitetet dhe mediet.

Ai kishte fituar çmimin e parë për këtë storie në fund të vitit 2016. Ai çmim ishte ndarë nga sociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), Agjencia Kundër Korrupsion (AKK) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Çmimin e parë e ka fituar redaktori i Gazetës Express, Leonard Kerquki, me storiene tij “Shtabi i Milionerëve “.

Dokumentari i Kerqukit trajton mënyrën si si janë pasuruar një numër ish-komandantësh të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pas përfundimit të luftës.

Duke folur para të pranishmëve, Kerquki ka thënë se çmimi që ka pranuar është shpagim moral për punën që ka bërë gjatë këtij viti. Ai ka treguar se pas publikimit të kësaj storie, ka marrë edhe kërcënime me vrasje.

Kurse me çmimin e dytë është shpërblyer Drejtoresha e BIRN për Kosovë, Jeta Xhara, me storien “Vjedhja e Organizuar Tatimore”.

Çmimi i BE-së për gazetarinë hulumtuese ka për qëllim promovimin e të arriturave të larta të gazetarëve hulumtues dhe përmirësimin e vizibilitetit të cilësisë së gazetarisë hulumtuese në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Çmimi është themeluar nga Komisioni Evropian duke ndjekur strategjinë e BE-së për Zgjerim e cila parasheh nevojë të fuqishme për të siguruar lirinë e shprehjes në media, për mbështetje të gazetarisë hulumtuese në monitorimin e proceseve reformuese, si dhe për të ruajtur momentin historik drejt anëtarësimit në BE./Insajderi.com