Vendimi për Haradinajn më së largu deri më 14 shkurt

Kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj, mbrojtja e tij dhe Gjykata e Colmarit në Francë janë ende në pritje të Prokurorisë së Beogradit për Krime lufte në ish-Jugosllavi që ta dorëzojë tek autoritetet franceze dosjen e ish-Kryeministrit të Kosovës, që po kërkohet për t’u ekstraduar në Serbi.

Përveç dosjes, Beogradi zyrtar, 20 ditë pas arrestimit në Francë të ish-komandantit të UÇK’së për Zonën e Dukagjinit në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtarë të lëshuar qysh në vitin 2004 nga Serbia, ende nuk ka kryer as kërkesën zyrtarë për ekstradimin e Haradinajt.  Ndonëse, një kërkesë të tillë, zyrtarë dhe Prokurorë nga Beogradi e kanë bërë vetëm nëpërmjet deklarimeve publike.

Megjithatë, në vendimin e saj për lirimin me kusht të Haradinajt, Gjykata e Colmarit në Francë, më 12 Janar, një javë pasi u arrestua Haradinaj në aeroportin e Bazelit, ka kërkuar nga Prokuroria Serbe që kërkesa e ekstradimit të jetë e bashkangjitur me dosjen kundër Haradinajt.

E për diçka të tillë, Beogradit i ka mbetur edhe 20 ditë tjera kohë, nga gjithsej 40 ditë, maksimumi i afatit të përcaktuar nga gjykata franceze.

Rrjedhimisht, deri atëherë Haradinaj obligohet të qëndrojë në Francë, pasi aktualisht gjykata e ka liruar me kusht, deri në një vendim të ri ndaj, që llogaritet të jepet më së largu deri më 14 shkurt.

Prokuroria në Beograd akuzon kreun e AAK’së për krime lufte ndaj popullsisë civile serbe dhe të komuniteteve tjera pakicë në Kosovës, gjoja të kryera menjëherë pas përfundimit të konfliktit etnik në Kosovës, qershorin e vitit 1999.

Mbrojtja e ish-kryeministrit kosovar vazhdimisht ka potencuar se mundësia e ekstradimit të Haradinajt në Serbi është e pamundur, dhe akuzat e Prokurorisë së Beogradit janë cilësuar si politike. Por nga ana tjetër, një Prokuror serb për Krime të Luftës, Milan Petroviq, duke folur për Deutsche Welle tha se Haradinaj do të mund të ekstradohet në Gjykatën e sapokrijuar Speciale në Hagë.

“Unë nuk e përjashtoj mundësinë që Haradinaj të dorëzohet në gjykatën e re në Hagë”, citohet të ketë thënë prokurori serb.

Por diçka të tillë kategorikisht e ka hedhur poshtë avokati i Haradinajt në Kosovë, Arianit Koci.

“Kjo natyrisht nuk është e vërtetë”, ka thënë Koci.

“Vetë Avis Benes, zëdhënësja e Dhomave të Posaçme të Gjykatës Speciale, me datën 5 janar 2017, ka deklaruar se ‘ky ndalim nuk është kryer në kuadër të mandatit të Dhomave Speciale të Kosovës’”, ja shtuar tutje avokati Koci, duke cituar një deklaratë zyrtare të Gjykatës Speciale për media, përmes zyrës për informim, një ditë pas arrestimit të Haradinajt.

Ndryshe, derisa po qëndron në pritje të vendimit nga drejtësia franceze, kreu i AAK’së, nga atje ka treguar se po përcjellë çdo zhvillim të fundit në Kosovë. Madje edhe duke komentuar e reaguar ndaj krerëve institucionalë.

Së fundi, ai i ka quajtur kukulla të Serbisë dy drejtuesit e shtetit, Presidentin Hashim Thaçi dhe Kryeministrin Isa Mustafa, të cilët kanë udhëtuar për Bruksel për të dialoguar me Serbinë, pas veprimeve të fundit të Beogradit zyrtarë që janë cilësuar si provokime ndaj Kosovës. /GazetaExpress