Veseli: Jam krenar me luftëtarët e UÇK-së

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ka folur për debatin parlamentar për vlerat e UÇK-së që u bë në raport me situatën e krijuar, ku me shumicë votash u mbështet rezoluta e harmonizuar nga grupet parlamentare të PDK-së, të LDK-së, të AAK-së dhe të Nismës.

Veseli ka thënë se kjo rezolutë nuk është e vonuar, por do të duhej shumë më herët të ishte bërë një ligj për vlerat e luftës, që do t’i sanksiononte në mënyrë ligjore të drejtat dhe obligimet që i kanë ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai ka theksuar se rezoluta e cila mbron vlerat e luftës së UÇK-së nuk duhet të nënvlerësohet, pasi ajo ka të bëjë me vlerat themelore mbi të cilat qëndron liria jonë.

Duke folur rreth debatit që ndodhi në Kuvend për vlerat e luftës së UÇK-së, që rrezikoi të shndërrohet në përplasje fizike mes deputetëve të pozitës dhe të opozitës, Veseli ka thënë se pamjet në Kuvend gjatë seancave janë të dhimbshme dhe shumë herë jodinjitoze.

“Lufta politike e cila mund të bëhet për përfitime elektorale nuk duhet të bartet në ato çaste që na bashkojnë të gjithëve, në këtë rast çështja e vlerave të luftës së UÇK-së dhe në përgjithësi në çështjet që kanë të bëjnë me interesin e vendit tonë. Është e vërtetë se është duke u krijuar një praktikë jopozitive gjatë seancave parlamentare. Një pjesë e opozitës nuk pajtohet me asgjë dhe vë dilema për të gjitha të arriturat e deritashme në vendin tonë. Kjo praktikë, e nxitur nga një pjesë e opozitës, të cilën po e shihni gjatë seancave, nuk reflekton mençuri politike dhe realisht nuk u shërben interesave të shtetit”, ka deklaruar Veseli.

Ai ka folur edhe për deklaratën e vet që ka dhënë atë ditë në seancë, pas përplasjes së deputetëve Nurdin Lushtaku dhe Glauk Konjufa, ku tha: “Runu! Ishalla veç s’e vrani veten!”, për të cilën deklaratë Lëvizja Vetëvendosje! u ndie e kërcënuar.

“Loja e sulmit si teknikë mbrojtje është e njohur gjatë. Vetëvendosja! po mundohet ta luajë mirë këtë pjesë, por realiteti, i parë nga të gjithë qytetarët e Kosovës, është se unë, me gjithë qenien time, veprimin tim dhe fuqinë time politike e ligjore që e kam si kryetar i Kuvendit të Kosovës, mundohem ta minimizoj hapësirën e konfliktualitetit në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Veseli.

Ai ka pohuar se do të vazhdojë, me të gjithë autoritetin e tij ligjor, politik e moral, të bëjë përpjekje të evitojë, jo vetëm konfliktin dhe sjelljet turpëruese që mund të kenë pasoja mes deputetëve, por çdo mundësi që nga Kuvendi i Kosovës të dalin lajme të këqija për Kosovën.

Kryeparlamentari Veseli nuk e konsideron inteferim mbi drejtësinë debatin që ndodhi në Kuvend për rastin “Drenica”.

“Debati që ka ndodhur për vlerat e luftës nuk duhet parë si interferim në drejtësi. Në momentin kur kemi mbi 40 nënshkrime të deputetëve, atëherë Kryesia e Kuvendit është e obliguar ta procedojë dhe të thërrasë seancë të jashtëzakonshme. Nuk është tragjike kur diskutohet për një temë të kësaj natyre. Tragjike do të ishte atëherë kur do të ndërhyhet në vendimmarrje të gjyqësisë. Dhe kjo nuk ka ndodhur”, është shprehur ai.

Veseli ka theksuar se për të dhe bashkëluftëtarët e tjerë ka qenë diçka e rëndë dhe e pakuptueshme që familja Demaku të pësojë në këtë mënyrë, aq më tepër tash në rrethanat e lirisë. “Këta të gjithë kanë qenë luftëtarë të lirisë!”, është shprehur Veseli, duke shtuar se është shumë krenar me të gjithë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“E kam njohur Xhevatin dëshmor, si Jahirin, Fadilin, Nexhatin dhe Zeqirin, të gjithë vëllezër të një familje. Kam qenë në familjen e tyre gjatë luftës disa herë. Po ashtu, jam shumë krenar me Sylejman Selimin, me njërin nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Jam shumë krenar me Sami Lushtakun, me të cilin na lidh themelimi i UÇK-së që nga viti 1991. Jam i bindur se Fatmir Limaj është i pafajshëm dhe do të dalë ngadhënjimtar edhe në këtë proces sikurse ka dalë edhe në Hagë”, ka deklaruar Veseli.

Ai ka thënë se themelimi i Gjykatës Speciale ka qenë i paevitueshëm.

“Nëse më pyesni rreth dilemave se a është dashur të ekzistonte Gjykata Speciale, them se asnjëherë në Kosovë nuk do duhej të ekzistonte një gjykatë e tillë. Ajo çfarë do të duhej të ndodhte dhe të ekzistonte si gjykatë do të duhej të bëhej për shtetin serb që ka kryer me qindra masakra për të cilat ende nuk ka dhënë përgjigje. Por, në rrethanat e krijuara, me pretendimet e ngritura, tashmë të njohura, duhet të vendosej që në rend të parë të ishte shteti i Kosovës, perspektiva e tij, interesat strategjike të tij dhe jo fatet individuale. Ky është akti më patriotik që mund të bëjë një individ: besnikërinë ndaj shtetit dhe atdheut ta vë mbi çdo interes e besnikëri tjetër. Në këtë drejtim, ndër më meritorët, janë vetë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Veseli.