Vetëm BDI ka forcë për të avancuar çështjet shqiptare

Aktivitetet e fushatës zgjedhore për sot BDI i vazhdoi në Çegran të Komunës së Gostivarit. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti para një numri të madh banorësh të zonës tha se nuk ka as qeveri, e as institucione që mund të bëhen pa pjesëmarrjen e Bashkimit Demokratik për Integrim, pasi ky subjekt politik është mbrojtësi i vetëm i kauzës shqiptare dhe nuk ka forcë që mund të përballet me të tjerët, përveç BDI-së.
“Përse unë si shqiptar do të votoj për të gjithë ju, sepse ju jeni një bashkim, jo vetëm i ushtarëve por edhe i shumë misionarëve. Pas përfundimit të luftës këtu me ne kemi luftëtarë të UÇK-së, kemi misionarë e dijetarë që u bashkuan me ne, prandaj unë si shqiptar do të kisha votuar për ju. Mua personalisht më brengos shpërndarja e votës, por ato subjekte të vogla që janë duke shkaktuar këtë të keqe tek populli shqiptar, nuk e di se a do t’ia dalin që të shlyejnë dy universitetet në gjuhën shqipe dhe nuk besoj se do të arrijnë të shlyejnë hapjen e mbi 2 mijë vendeve të reja të punës”, deklaroi kryetari i BDI-s dhe bartësi i listës zgjedhore në njësinë zgjedhore numër 6, z.Ali Ahmeti.
Kandidatja për deputete në njësinë zgjedhore numër 6, znj. Mirsada Hasani para banorëve të Çegranit tha se BDI kërkon mbështetjen e popullit, pasi shqiptarët përmes atij besimi do të kenë BDI-në gjithnjë dalëzotëse.
“Në këto zgjedhje BDI mban porosinë ‘Bashkë Vendosim’ i cili tregon që BDI politikat e saj i ka ndërtuar bashkë me ju, për një të ardhme më të mirë. Vota juaj, mbështetja juaj për ne është përgjegjësi e sfidë, ajo është forca që na ndjek për të kërkuar hisen tuaj por edhe atë të fëmijëve tuaj”, u shpreh Mirsada Hasani, kandidate për deputete për njësinë 6.
Krerët e BDI-së para banorëve të Çegranit të Komunës së Gostivarit thanë se BDI është forca e vetme politike e shqiptarëve të Maqedonisë që mund të përballet me të gjitha forcat e brendshme apo të karakterit të politikave ndërkombëtare.