Via Egnatia, prezantohet përmes skicave të anglezit Edward Lear

 

Via Egnatia u prezantua përmes skicave të anglezit të famshëm Edward Lear. Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare prezantoi 35 skica, të cilat sjellin peisazhe të Durrësit, Elbasanit dhe Pogradecit, që u ekspozuan për herë të parë për publikun në Pedonale. Skicat janë pjesë e koleksionit të Universitetit të Harvardit dhe janë bërë nga piktori britanik Edward Lear në vitin 1849. Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare tregon se Via Egnatia sot ka pak gjurmë nga ato që na tregon Lear, por qëllimi është që ajo të kthehet në një atraksion turistik. “Në një nga këto piktura është Hani i famshëm i Qukësit të cilin ai në ditarin e vet e përshkruan kur banorët e qëlluan me gurë se kujtonin se ai do ti merrte imazhin e fshatit për t’ia shitur Carit të Rusisë, skena groteske por që ai na sjell Hanin e Qukësit një pikë shumë e rëndësishme gjatë ndalimit të karvaneve  gjatë Via Egnantias”, u shpreh Tare gjatë prezantimit të ekspozitës në Pedonale. Në udhëtimin e tij në të gjithë Shqipërinë, Edward Lear, ka arritur të skicojë 200 peizazhe, të cilat do të ofrohen për qytetarët në të tjera ekspozita. Drejtori i AKB Tare tregon se me këtë koleksion të rradhë ra në gjurmë që para një dekade në Harvard.  “10 vite të shkuara gjatë një leksioni në Universitetin e Harvardit për trashëgiminë kulturore shqiptare unë rashë në gjurmë të një koleksioni të pa njohur që ishte në librarinë Houghton të këtij universiteti. Ky koleksion i rrallë është pjesë e një koleksioni më të madh me skica të Lear, të cilat janë pjesëza apo copëza të skizuara shpejt për tu shndërruar më vonë në tablo të mëdha të Lear. Fatkeqësisht jo të gjitha skicat e Lear e panë dritën e hedhjes në telajo dhe shumë prej tyre mbeten në duar të koleksioneve private pa parë dritën e botimeve”, vijon të tregojë Tare. Poeti dhe piktori anglez Eduard Lir (1812-1888) ka qenë i pari udhëtar e shkrimtar që bëri një udhëtim të plotë nëpër Shqipëri, jug dhe veri.

Ekspozita në mediat e huaja

Por ende pa u mbyllur dje ekspozita në Pedonale, lajmi u publikua dhe në mediat e huaja. New York Times shkruan mbi promovimin e Via Egnatias me skicat e Lear, por dhe The Washington Post ka pasqyruar ekspozitën. Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare tregon se synon të promovojë Via Egnatian përmes skicave të anglezit të famshëm Edward Lear. Ai tregon se ky koleksion i ka mbetur në mendje që ditën që e pa në Harvard dhe pati kënaqësinë t’ia prezantojë publikut. “Kjo dhe me rastin e një projekti mjaft ambicioz që AKB po bën për rivitalizimin e rrugës antike Via Egnatia. Lear udhëtoi në Shqipëri nëpërmjet kësaj rruge dhe ishte dëshmitari i fundit i peisazheve dhe pjesës së trashëgimisë kulturore të mbetur në këtë rruge antike. Falë Lear, ne kemi imazhe të mrekullueshme të Elbasani, Ohrit, manastiri mesjetar i Tiranës dhe Durrësit, i cili ende kishte të ngritura kullat bizantine, të cilat sot janë rrafshuar nën peshën e betonit”, pohon më tej Auron tare drejtor i AKB. Drejtoi Auron Tare e vlerëson publikimin në mediat e huaja dhe vijon të pohojë se fatkeqësisht janë institucionet kulturore që nuk kanë treguar vëmendje për këtë fakt. “Një ekspozitë modeste po sa shumë kuptimplotë dhe me efekt për trashëgiminë kulturore dhe turizmin shqiptar. Në fakt Lear është një thesar i jashtëzakonshëm për Shqipërinë, i cili ende nuk ka një botim luksoz me pikturat e tij mbi Shqipërinë. Kuratorët e Houghton Library në Harvard ishin mjaft dashamirëse për idenë e publikimit të koleksionit të tyre për Shqipërinë. Duke shpresuar se këto shkëndija janë të nevojshme për të na rikujtuar bukuritë e peisazheve të dikurshme shqiptare si dhe trashëgiminë kulturore e cila për fakt të keq nuk ekziston më si në pikturat e Lear”, pohon Tare drejtor i AKB.