VIDEO: Votimi në Tearcë, pjesëmarrje në rritje dhe nën monitorimin e vëzhguesve

Ka pasur një rënie të votuesve në orët e vona të pasdites në Tearcë. Ndryshe nga orët e para të ditës ku vërehej një pjesëmarrje e lartë në krahasim me ato të datës 11 dhjetor, trendi është ulur ndjeshëm në orët e pasdites. Pjesëmarrja deri në orën 17: 00, ka qenë 52% ku kanë ushtruar të drejtën e votës vetëm 370 qytetarë.

********************

Në Tearcë të Tetovës po rivotohet pas anulimit të zgjedhjeve të mbajtura në 11 dhjetor për shkak të parregullsive të evidentuara. Procesi është duke u zhvilluar qetë, ndërsa vërehet interesim më i madh i banorëve për të votuar se sa në zgjedhjet e dy javëve më parë.

********

Nga raportimi i gazetarit tonë, pranë qëndrës së votimit në Tercë, deri në orën 16 kanë votuar 362 persona, mbi 50% të votuesve me të drejtë vote. Pjesmarrja është relativisht më e lartë se ajo e datës 11 dhjetor.

******************

Vazhdon me intensitet të lartë pjesëmarrja e votuesve në Tearcë, deri në orën 14. 30 kanë votuar 300 persona ose 42 % e votuesve me të drejtë vote. Procesi vazhdon i qetë.

*********************

KSHZ njofton se deri në orën 13:00, nga 714 votuesit e regjistruar, të drejtën e votës e kanë realizuar 252 votues ose 35.29%.

Nga KSHZ-ja njoftuan gjithashtu se informimi i radhës rreth pjesëmarrjes së votuesve do të jetë në orën 17:00.

******************

Vijon i qetë procesi zgjedhor në Tearcë. Gazetarët tanë në terren raportojnë se numri i votueseve vazhdon të jetë në rritje dhe deri në orën 12:30 numri i tyre ka shënuar 211 votues ose 29.5%.

Në krahasim me zgjedhjet e 11 dhjetorit, pjesëmarrja e sotme është më e larta deri në orën e raportuar.

****************

Procesi i votimit në Tearcë vazhdon dhe ekipi i televizionit ALSAT në terren njofton se dalja e qytetarëve është në rritje. Deri në orën 11:30, sipas të dhënave të grumbulluara, kanë dalë afërsisht 20% e banorëve me të drejtë vote. Numri i tyre është 157.

Po ashtu, nga raportimet nga terreni mësohet se procesi vijon në mënyrë të qetë, dhe ndiqet rreptësisht jo vetëm nga mediat, përfaqësiesit ndërkombëtarë, por edhe vetë eksponentë të politikës.

****************

Procesi i votimit në Tearcë u ndërpre për rreth 15 minuta, për shkak të problemeve të paraqitura me llambën ultra-vjollcë. Problemi u konstatua menjëherë nga Komisioni i vendvotimit, i cili ndërhyri për ndërrimin e saj.

Vendvotimi u mbyll për 15 minuta deri sa u zëvendësua llamba-njoftoi ekipi i ALSAT në terren.

Llambat ultra-vjollcë shërbejnë për të vërtetuar nëse qytetarët kanë votuar më parë apo jo.

**************

Në vendvotimin 2011 në Tearcë po përsëritet votimi për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Vendvotimi 2011 në shkollën fillore “Kiril Pejçinoviq” u hap që në orën 7, ndërsa votimi duhet të përfundojë në orën 19:00.

Në Listën zgjedhore në këtë vendvotim janë regjistruar gjithsej 714 votues. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve mori vendim për përsëritjen e votimit në Komunën e Tearcës, bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Rivotimi i sotëm mund të ndikojë në numrin e mandateve të fituara.

Më 11 dhjetor në votim kishin dalë 404 qytetarë me të drejtë vote, prej të cilëve 91 kishin votuar për VMRO-DPMNE-në, 87 për LSDM-në, 65 për Besën, 64 për PDSH-në, 53 për BDI-në, 25 për Aleancën për Shqiptarët dhe nga një për Maqedoninë dhe për Koalicionin për Ndryshime dhe Drejtësi – Blloku i Tretë.

Në Njësinë zgjedhore 6 sipas rezultateve fillestare të KSHZ-së, më shumë vota 40.599 fitoi BDI-ja, pastaj pason VMRO-DPMNE-ja me 26.135, LSDM-ja me 25.828, Besa me 25.054, Aleanca për Shqiptarët 17.970, PDSH-ja 16.225, VMRO për Maqedoninë 919 dhe Koalicioni për Ndryshime dhe Drejtësi – Blloku i Tretë 239.

Sipas votave të fituara, më shumë deputetë, gjegjësisht 6 fitoi BDI-ja, VMRO-DPMNE-ja 4, Besa 3, LSDM-ja 3, Aleanca për Shqiptarët dhe PDSH-ja 2.

************

Zgjedhjet në Tearcë monitorohen nga të gjithë vëzhguesit dhe gazetarët, të cilët janë akredituar javë më parë nga KSHZ-ja. Organizatat joqeveritare MOST dhe CIVIL kanë njoftuar që vëzhguesit e tyre tashmë janë në terren dhe monitorojnë situatën me vëzhgues individual dhe ekipe mobile dhe ftojnë qytetarët të paraqesin çdo parregullsi zgjedhore me të cilën do të përballen.