Vidhen rreth 30 mijë euro në Bogovinë të Tetovës

Dy vjedhje të shumave të mëdha të parave dhe dokumenteve personale kanë ndodhur në dy shtëpi në Bogovinë, derisa pronarët e tyre kanë genë në gjumë, njoftoi sot zëdhënësi i policisë së Tetovës Marjan Josifovski,

Në rastin e parë gjatë vjedhjes në shtëpinë e XH.A. (51), shuma e përgjithshme e parave të marra vlerësohet në rreth një milion e katërqind mijë denarë, respektivisht rreth 23 mijë euro.

“Sipas denoncimit të pronarit vjedhja ka ndodhur dje në periudhën mes orës 01:00 dhe 06:00. Tani për tani kryerës të panjohur derisa familjarët kanë qenë në gjumë pa u vërejtur nga askush e kanë lëshuar shtëpinë duke marrë një milion e 400 mijë denarë”, tha Josifovski.

Edhe vjedhja e dytë, ajo në shtëpinë e S.I. (21) në Bogovinë, sipas denoncimit të pronarit ka ndodhur përafërsisht në periudhën e njëjtë, gjegjësisht mes orës 01:00 dhe 07 e 30 minuta. Siç informoi Josifovski, edhe në këtë rast kryerës tani për tani të panjohur pa e dëmtuar derën kanë hyrë, i kanë kërkuar të gjitha hapësirat dhe nga pantallonat në dhomën në të cilën ka fjetur kanë marrë 3.500 franga zvicerane dhe 6.000 denarë në valuta të ndryshme, si dhe një çantë të zezë me dokumente të ndryshme, e cila më vonë është gjetur në afërsi, njofton AIM.

Në të dy vendet policia ka kryer ekspertizë dhe punon në ndriçimin e tërësishëm të rastit dhe zbulimin e kryerësve.