Vijnë për të punuar në Berat, zhduken pa lënë gjurmë 12 qytetarë nga Bangladeshi

 

Kishin ardhur nga Bangladeshi për të punuar në një firmë në Berat, por janë zhdukur pa lënë gjurmë. Denoncimi është bërë një ditë më parë nga pronari i një fasonerie në qytetin e Beratit.

Burime nga policia thanë se 12 qytetarë kishin ardhur nga shteti i largët për të punuar në fasoneri. Por dje ata janë larguar pa lënë asnjë gjurmë duke ikur edhe nga vendi i punës, por edhe nga banesa ku jetonin.

Bëhet fjalë për 12 qytetarë nga Bangladeshi, për të cilët nuk ka informacione se ku kanë shkuar. Mësohet se ata janë të moshave nga 19 deri në 40 vjeç.

Policia ka nisur kërkimet për ta pas marrjes së denoncimit nga pronari i fasonerisë, ndërsa ende nuk dihet se nga janë drejtuar. Dyshohet se ata mund të jenë nisur për tu larguar nga Shqipëria drejt BE-së.