Viktima e radhës e gripit, ndërron jetë vogëlushi 3-vjeçar

Një vogëlush 3-vjeçar është rasti i pestë, sipas MSH-së, që ka humbur jetën si pasojë e gripit stinor. Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar se vogëlushi ka ndërruar jetë mëngjesin e kësaj të marte në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

B. Z nga Shënkolli i Lezhës, prej një jave ishte me temperaturë, ethe dhe kollë. Pasi është paraqitur disa herë në urgjencën e spitalit të Lezhës, më 14 janar shtrohet me diagnozën infeksion viral me insufiçencë respiratore, ku dhe pas trajtimit mjekësor gjendja mbetet e njëjtë.

Një ditë më pas ai transferohet në shërbimin e pediatrisë në QSUT në Tiranë, ku ka patur dhe shenja klinike si mosreagim ndaj dhimbjes, gjendje prekome, vështirësi në frymëmarrje dhe frymëmarrje të zhurmshme. Ai u diagnostifikua me Encephalomielit, inflamacion i trurit dhe shtyllës kurrizore, që ndodh zakonisht për shkak të një infeskioni akut viral.

Gjatë të njëjtës javë, familjarët me të cilët jeton, katër pjesëtarë kanë kaluar gripin. Mostrat e marra për ekzaminim nga ISHP-ja konfirmojnë që pacienti ishte i prekur nga virusi i gripit stinor A. Edhe pas trajtimit në Reanimacionin e Shërbimit të Pediatrisë në QSUT, pacienti ndërron jetë në orët e para të mëngjesit të datës 17 janar.

Ky është rasti i pestë i konfirmuar, pas dy rasteve të raportuara 5 janar, atij të datës 11 janar dhe rastit të datës 13 janar nga Ministria Shëndetësisë për persona që kanë ndërruar jetë, të cilët, përveç sëmundjeve të tjera, kanë rezultuar të prekur edhe nga virusi i gripit të stinës A.