Visar Ganiu: Lagje e re urbane në Serovë, në vendin e ish Higjienës Komunale

Një prej 11 shtyllave të Strategjisë për zhvillimin e komunës së Çairit që gjendet në Kontratën 2017-2021 të kandidatit për kreun e Çairit, Visar Ganiu, është Investimet Kapitale. Transformimet në komunë do të nisin me investimet kapitale si pjesë e partneritetit privato-publik për të krijuar kushte për një jetesë më të mirë dhe fuqizimin ekonomik të zonës. Përkatësisht bëhet fjalë për ndërtimin e dy blloqeve urbane, si edhe rikonstruktimi i Bit Pazarit. Këto investime kapitale në tre lagje, Serravë-Higjiena komunale, Teneqe Mahallë dhe Bit Pazar, kanë si qëllim riorganizimin e bërthamës urbane të komunës me hapjen e mundësive për investime kapitale në këto tre lagje që Kontrata i konsideron si tre pika kryesore të saj. Kjo formë e organizuar e jetës në këto zona janë mundësia e vetme për të sistemuar jo vetëm qarkullimin kaotik urban, por njëherazi përbëjnë zgjidhje të mençura për t’i kthyer këto zona në vende dinjtoze banimi dhe afariste, me banesa shumëkatëshe, shitore e qendra tregtimit, rekreacione dhe sportive.

“Riorganizimi i bërthamës urbane të një komune ka rëndësi esenciale për pozicionimin e saj urban, që ndikon drejtpërsëdrejti mbi qytetarët. Me riorganizimin e blloqeve ekzistuese fitohet një strukturë e re dhe kushte optimale për zhvillimin e partneritetit privato-publik”, sqarohet në kontratë. Në maketet e prezantuara në Strategjinë e zhvillimit katërvjeçar ilustrohet shndërrimi të cilit do t’i nënshtrohen këto dy lagje. Ndërtimi i godinave të banimit, sipas të gjitha standardeve bashkëkohore, me kënde sportive dhe lojërash për fëmijë, parqe dhe gjelbërim, objekte afariste, vendparkime, e të tjera.


Po ashtu Strategjia parashikon edhe rikonstruktimin e plotë të tregut të fruta-perimeve dhe të mallrave të konsumit të gjerë – Bit Pazarit. Kjo nënkupton krijimin e kushteve elementare për tregtimin e produkteve sipas të gjitha kritereve higjieno-sanitare. Projekti për rikonstruktimin e Bit Pazarit tashmë ka filluar dhe pritet që gjatë periudhës në vazhdim të vijohet me punimet për mbulimin e tij dhe renovimin e tezgave si edhe sistemimin e tyre. Me projektin rikonstruktues parashikohet që jo vetëm ky treg të funksionojë me hyrje – daljet adekuate, regjimin e ri të qarkullimit të automjeteve, vende të posaçme për furnitorët, në mënyrë që kjo zonë e cila është në hyrje të Çarshisë dhe institucioneve të tjera, si Teatri Shqiptar, e të tjera të funksionojë si një pikë që nuk shkakton kaos, por si një bërthamë më vete e organizuar.

Investimet kapitale janë shtylla e 11-të në Strategjinë për zhvillimin e Çairit. Gjatë mandatit katërvjeçar ky program parashikon edhe shumë projekte të ngjashme dhe investime për rikonstruktimin e rrugëve, si kalldrëmin në Çarshi, marrjen e masave për gjallërimin e jetës në këtë zonë, vendosjen e regjimit të ri të orarit të objekteve afariste me qëllim shtimin e frekuentimit të kësaj zone.