Visar Ganiu themelon ndërmarrjen komunale për pastrim të rrugëve dhe trajtim adekuat të qenve endacakë

Mirëmbajtja e rrugëve, pastrimi i tyre, zgjidhja e problemeve me qentë endacakë, janë disa prej detyrave për të cilat kandidati i Bashkimit Demokratik për Integrim, Visar Ganiu, për kreun e komunës së Çairit ka planifikuar sesi t’i realizojë.

Themelimi i një ndërmarrje komunale për higjienë konsiderohet prej tij si një prej masave më efikase për të zgjidhur problemet me mirëmbajtjen e vazhdueshme të rrugëve, me theks tek ato sekondare. Po ashtu pjesë e punës së këtij institucioni në nivel lokal do të jetë edhe zgjidhja e problemeve me qentë e rrugëve.

Kandidati Ganiu në projektet e tij e ka parashikuar sistemimin e qenve edhe me marrëveshjet dhe bashkëpunimin që do të bëjë me shoqatat që merren me mbrojtjen e kafshëve, p.sh. si Anima Mundi, e të tjera. Ideja për themelimin e një ndërmarrje të tillë, ka ardhur pas takimeve të shumta që ka pasur gjatë këtyre ditëve me banorët e të gjitha lagjeve të komunës Çair, të cilët kanë shtruar si probleme dhe ankesa sorollatjen e qenve dhe rrezikun që paraqesin në disa zona.

Po ashtu edhe pastrimi i rrugëve sekondare, pastrimi dhe mirëmbajtja e tyre higjienike nuk është në nivelin e dëshiruar në shumë zona, krahasuar me pastrimin që i bëhet bulevardeve dhe akseve kryesore të komunës. Këto iniciativa të kandidatit Ganiu janë pjesë e aktiviteteve që kanë nisur prej disa kohësh prej tij me qëllimin për të pasur një Çair sa më të pastër.

Me iniciativë personale ai vendosi disa kosha me ngjyrë jeshile në Parkun e Çairit, si një veprim simbolik për të rritur vetëdijesimin edhe të banorëve për të kontribuuar në mirëmbajtjen e vendit ku jetojnë. Ai i ka apeluar komunitetit që ta ngrejë në një nivel më të lartë vetëdijen kolektive për të pasur një Çair sa më të pastër.