Viti i mbrapshtë

Viti 2016 konsiderohet vit i mbrapshtë për qytetarët e Kosovës. Gazi lotsjellës, koktej i molotovit, granata ndaj institucioneve, protesta në rrugë, korrupsioni e gjykimi…, ishin vetëm disa “pjesëza” të mozaikut kosovar. Izolomi e korrupsioni ishin sfidat e pakapërcyeshme të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës . “Zëri” në mënyrë kronologjike, bardhë e zi, ua sjell ngjarjet e vitit 2016.

Sulmet me koktej molotovi ndaj ndërtesës së Qeverisë e ndaj Presidencës, si dhe ai me predhë ndaj Kuvendit kanë shënuar pikën më të rëndë të krizës politike në vend gjatë vitit 2016. Viti që po mbetet pas u karakterizua me protesta në rrugë e në Kuvend, ndërsa demarkacioni i kufirit me Malin e Zi dhe Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe ishin temat qendrore gjatë 12 muajve të këtij vit.

Në anën tjetër, qytetarëve të Kosovës as në vitin 2016 nuk u janë liberalizuar vizat, Kosova ende nuk e ka formuar Ushtrinë, pavarësisht premtimeve të pushtetarëve, shteti i Kosovës u pranua vetëm nga dy shtete të OKB-së.