Viti i Skëndërbeut, Rama kërkon Akademi pa kufi, në fokus dhe diaspora

Kryeministri Edi Rama përkrah kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj me delegacionet respektive në tryezë shpalli axhendën e vitit të Skëndërbeut, që do të nisë me mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Korçë me 27 nëntor dhe do të vijojë në Vlorë me 28 nëntor në përkujtimin e 105 vjetorit në pavarësisë.
Rama tha se ky vit duhet të shërbejë për të bashkuar shqiptarët dhe si motiv për një të ardhme të ndritur.
Rama: “Është detyra jonë e përbashkët që 105 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, 110 vjetorin e Kongresit të Manastirit si data madhore të këtij viti të Skëndërbeut, përfshirë dhe vetë përvjetorin e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar ti kthejmë në stacione ku të flasim me një gjuhë për të ardhmen dhe ku të mund tu drejtohemi njerëzve të zakonshëm me gjuhën e rezultateve konkrete në funksion të një aspirate tonë të përbashkët që jo vetëm të mos e harrojmë por të punojmë bashkarisht që hapësira që mbulojnë këto dy shtete të jenë hapësira shqiptare në funksion të një të ardhme të përbashkët terësisht të integruar në BE si një popull që nuk mund të jetojë në jetë të jetëve i ndarë në dysh”.
Nga ana e tij, kryeministri i Kosovës vlerësoi mbështetjen e popullit të Shqipërisë.
Haradinaj: Kosova ka një rrugë të vështirë por çdo herë e ka ndjerë që nuk është vetëm. Populli i Shqipërisë ka qenë me ne çdo kohë. Kosova është shumë e përgjegjshme ndaj komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Sot Kosova ndjen përgjegjësinë e vet si shtet i ri por dhe pjesën e punës dhe obligimeve që ka për shqiptarët kudo që janë. Interesimi për bashkëkombasit tanë që jetojnë jashtë mund të bëjë që të ndjejnë më shumë atdheun dhe të kemi një krah të fortë prej tyre për të gjitha sfidat, duke filluar nga ato ekonomike. Në Kosovë papunësia është shumë e madhe. E kam kuptuar rrugëtimin që na pret gjatë këtij viti. Kemi dhe pak kohë me bë gati një axhendë të mirë deri në mbledhjen e përbashkët të qeverive.
Rama përcjell mesazhet e vitit të Skëndërbeut
Rama: Nuk kishte sesi sot teksa Kryeministri i Kosovës e nderon Shqipërinë me vizitën e tij zyrtare mos nguteshim të çelnim siparin e parë trë përpjekjes së përbashkët për konkretizim të një viti simbol që e duam të favorshëm dhe frymëzues për gjithë shqiptarët, viti nën shenjën e pa perëndueshme të Gjergj Kastriotit Skëndërbeut.
Vit që e duam si gur të ri kilometrik në ndërlidhjen mes veti dhe të fqinjësive të mira dhe shkëmbimeve që ndërtojnë ura dhe që integrojnë pareshtur të gjithë nën një çati të përbashkët europiane. Vit që e duam emancipues dhe rrezatues për shqiptarët kudo që ndodhen. Vit që e duam shpresëdhënes, dinjitoz, gjithëpërfshirës dhe politikbërës për rivendosjen në qendër të përparsive tona,të shqiptarit të zakonshëm dhe Europës që duam për gjithë shqiptarët. Skënderi, sundimtari i Shqipërisë frymëzonte dashurinë, hirësinë dhe hijeshinë.
Viti mbarëkombëtar i Skëndërbeut lipset të jetë ndërthyrës i këtyre vetive në botën shqiptare dhe themeli i një qasje të re të domosdoshme të imazhit që përçojmë në botën që na rrethon dhe universit europian që prej natyre ne shqiptarët i përkasim.
Gjatë këtij viti që nis me mbledhjen e dy qeverive në 27 nëntor dhe vijon të nesërmen me 28 nëntor me 105 vjetorin e shpalljes së pavarësisë do të ishte paudhësi të ushëtonte zhurmnaja e nacionalizmave folklorikë apo gumëzhima e të gjithë diturve që përtacia për të fraktuar ardhëri prej mundi dhe djersës i ka kthyer në rektorë të halleve tona të moçme, fataliteti dhe fatalizmat janë kthyer në burizanë squllësi dhe ndjeshmëri përkundrejt virtytit që shqiptarët e kanë pasur gjithmonë por që lypsej në sytë e Bajronit veç të ishe më i arrirë.
Vitin e përvjetorit të vdekjes së Skëndërbeut nuk e duam si pretekst për tu nisur të hallakatur në monopatet torturuese të dikurishteve përkujtimore por si motiv për të ripërtërirë lidhjet tona me njëri-tjetrin dhe për ti çuar ato në një nivel të ri dhe si një yll orientues të rrugës sonë të përbashkët krah për krah njëri-tjetrit përditë e përmuaj, e përvit më të bashkuar në funksion të një të ardhmje të merituar për të gjithë shqiptarët. Duam ti biem pas motos autentike të Heroit tonë Kombëtar në beteja: Niqmëni!
Komisioni shtetëror për organizimin e vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skëndërbeu do të ketë një kuadër pune të përbashkët nën kujdesin simbolik të Presidentit të Kosovës dhe Shqipërisë dhe falë përpjekjes në një tryezë të gjithë pjesmarrësve të vet ku përfshihen autoritete të larta të Shqipërisë, Kosovës dhe autoritete të zgjedhura të Tiranës, Prishtinës, Tetovës ashtu sikundër dhe mendje të mbara të botës sonë akademike, universitare pa kufi. Ky vit duhet të na shërbejë si busull e përbashkët ardhmërie por jo më pak edhe si një pakt i bashkuar përgjegjshmërie në funksion të njerëzve të zakonshëm të Shqipërisë, Kosovës dhe botës shqiptare në terësi.Thelbi i mesazhit të Kuvendit të Lezhës duhet ta përshkojë kryekëput këtë vit si dinamikë në interesin e përgjithshëm përbashkuese dhe llogaridhënëse ndaj shqiptarëve.
Diaspora në fokus, regjistrimi dhe e drejta e votës- Fokusi kryesor do të ishte një përpjekje e shumëfishuar për t’ia dalë regjistrimit të plotë të shqiptarëve kudo që ndodhen dhe jetësimit të një të drejte themelore kushtetuese dhe angazhimit solemn të qeverisë sonë për ushtrimin e të drejtës së votës si e drejtë vendimmarrësë çka Kosova fatmirësisht e ka nisur dhe në këtë aspekt është dhe një mpodel për tu marrë shembull prej nesh. Duam bashkërisht të angazhohemi për fëmijët e kombit tonë që bëjnë sukses në Europë dhe Amerikë, duhet të gjejmë rrugët për t’iu përqasur bashkarisht në fuksion të përfitimit të dijes së tyre në shërbim të kombit por edhe të forcimit të një lidhje shmë të rëndësishme që nuk mund ta lëmë të tretet nga pamundësia e kontakteve. Është përgjegjësia jonë si politikanë dhe vendimmarrës ti vëmë në jetë. Teksa do të përmbyllim vitin mbarëkombëtar me 28 nëntor të 2018 me diasporën si lajmotiv në samitin e dytë në Tiranë mund të rendisim çka së bashku jetësuam si dy qeveri për shqiptarët gjatë këtij viti të Skëndërbeut dhe do të jetë ky një moment vërtetësie.
Akademi Shqiptare pa kufi- Mesazhi i dytë i ardhmërisë do të ishte ai i dijes me objektiva të qarta të përbashkëta për qeverinë e Shqipërisë dhe Kosovës për të qëndruar të ripërtërirjen dhe rifreskinë e trashëginmisë sonë të përbashkët arkivore, bibliografike, gjuhësore dhe historike. Aksesi dhe shfrytëzimi i tyre i lehtësuar nëpërmjet edhe kanaleve të teknologjisë së re do të jetë një përparësi gjatë gjithë mandatit, por me rëndësi të veçantë këtë vit. Bashkarisht të mendojmë dhe për tu ndarë nga historia e lodhshme sovjetike e akademive të shkencave që i përkasin të shkuarës dhe për ti hapur rrugë krijimit të një institucioni të një akademie shqiptare pa kufi ku të gjitha mendjet e ndritura të kombit tonë të mund të jenë së bashku në një çati në funksion të atyre vlerave të rëndësishme identitare dhe asaj trashëgimie të rëndësishme gjuhësore dhe kulturore që nuk mund ta lëmë të bierret por duhet ta promovojmë si vlerë të pandashme. Na takon ne si dy qeveri të konsiderojmë seriozisht kërcënimin që i bëhet gjuhës shqipe, gjuhës së folur dhe të shkruar dhe domosdoshmërinë që ti bëhemi mburojë kësaj arritje të shqiptarisë.
Mesazhi i tretë do ishte ai i qytetarisë ku partner të rëndësishëm do të jenë të gjithë komunat shqipfolëse të rajonit.Duhet të këmbngulim në ndërthurjen e shanseve të rinisë.
Mesazhi i katërt që do ti shkonte këtij viti do ishte ai i dinjitetit qytetar, një program i posaçëm nën kujdesin e Ministres së Mbrojtjes së Shqipërisë dhe FSK për të pasur objektiva për shanse të denja për rininë. Ta kenë si ashensor social në karrierën profesionale.