Vlora Çitaku i thotë Trump: Jam ambasadorja e popullit më pro-amerikan

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, është takuar me Presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump.

Çitaku, që ishte pjesëmarrës në një ngjarje të organizuar nga kabineti i Trump në prag të inaugurimit të tij President, ka pasur rastin të zhvillojë edhe një bisedë me Presidentin në ardhje.

Ambasadorja kosovare ishte ndër të paktët nga përfaqësuesit diplomatikë që pati rastin ta njoftojë personalisht Trump-in për Kosovën dhe popullin e saj pro-amerikan.

“Mbrëmje e mrekullueshme në darkën speciale të organizuar nga Komiteti i Inaugurimit të Presidentit të zgjedhur, Donald Trump, për komunitetin diplomatik”, ka shkruar Çitaku në llogarinë e saj në Facebook, duke e dokumentar takimin edhe me disa fotografi, njofton Klan Kosova.

Pas Trumpit, Çitaku është takuar edhe me disa nga personat kryesorë të qeverisë së re amerikane.

“Pata rastin të flas shtruar me presidentin e zgjedhur, Trump, me të nominuarin për Sekretar Shteti, Rex Tillerson dhe këshilltarin për Siguri, Michael Flynn. U thash se jam një ambasadore krenare e vendit më pro-amerikan në botë”.