Vlora e Ismail Qemalit në festë

Në këtë 104 vjetor të pavarësisë së Shqipërisë, qyteti i Vlorës, aty ku dhe u ngrit flamuri dhe u shpall Shqipëria e pavarur do të jetë dhe qendra e festimeve.

Presidenti i Republikës,Bujar Nishani ishte sot paradite i pranishëm në ceremoninë zyrtare të mbajtur në Sheshin e Flamurit dhe të Monumentit të Pavarësisë.

Ceremonia e ngritjes së flamurit do të nisë në orën 10:00 të mëngjesit të sotëm ku do të marrë pjesë kreu i shtetit Bujar Nishani, Ministrja e Mbrojtjes Kodheli dhe një sërë autoritetesh të tjera vendore.

Flamuri ynë Kombëtar kuq e zi u ngrit në prani të Kreut të Shtetit dhe autoriteteve të larta shqiptare në Sheshin e Flamurit dhe më pas, të pranishmit zhvilluan homazhe në varrin e Ismail Qemalit, ku Presidenti Nishani vendosi një kurorë me lule dhe u përul me nderim para veprës dhe kujtimit të Atit Themelues të Shqipërisë së pavarur.

Festa në Vlorë do të vijojë me koncerte në sheshet e qytetit për të kulmuar me atë në orën 11:00 të mbrëmjes në sheshin që mban dhe emrin “Pavarësia” në zonën e Skelës.

Festime do të ketë dhe ditën e nesërme për festën e Çlirimit.

Mësohet se gadishmëria nga Bashkia e Vlorës dhe policia e këtij qyteti është maksimale për të pasur mbarëvajtje të aktiviteteve.

Kanë kërkuar dhe përforcime nga FNSH për të pasur një kontroll të plotë të territorit dhe për të shmangur çdo lloj incidenti./oranews

500600100