VMRO-DPMNE planifikon zgjedhje të reja më 14 ose 21 maj

Në Bashkimin Demokratik për Integrim po zhvillohet debat brendapartiak se a janë për koalicion me LSDM-në, për zgjedhje të reja apo për koalicion me VMRO-DPMNE, në shtabin e socialdemokratëve shpresojnë se do ta marrin mandatin me nënshkrimet e deputetëve të BDI-së, pastaj do ta definojnë programin qeveritar, kurse VMRO-DPMNE nuk ka opcion tjetër përveç zgjedhjeve të reja.

Në partinë e Nikolla Gruevskit tashmë bisedohet edhe për datën e mundshme të zgjedhjeve lokale dhe zgjedhjeve të parakohshme parlamentare – 14 ose 21 maj, shkruan portal MKD sipas burimeve të saja brenda VMRO-së dhe transmeton Tetova News. Lideri i VMRO-DPMNE, këto ditë disa herë e ka përsëritur se vetëm zgjedhjet e reja janë shpresë për shtetin, përndryshe alternativë është vazhdimi i krizës. “ Më mirë të shpenzohen dy muaj për zgjedhje të reja, se sa gjashtë muaj ose një vit të pllakosur në krizë politike”, thotë Gruevski.

Kaluan më shumë se dhjetë ditë nga deklarata e presidentit Ivanov se mandatin për formimin e qeverisë së re do t`ia jap atij që siguron 61 nënshkrime deputetësh dhe krijon shumicën në Kuvend. Gruevski dhe Ahmeti, liderë të partnerëve të vjetër të koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI, nuk arritën marrëveshje, prandaj tani pritet ndonjë marrëveshje mes LSDM-së dhe BDI-së (49+10 deputetë), të cilat së bashku me deputetët e Besës (5) dhe Aleancës për Shqiptarët (3) të formojnë shumicë parlamentare për qeverinë e re, transmeton Tetova News.

Deri më tani nuk ka asnjë informacion zyrtar se ku kanë arritur negociatat mes LSDM-së dhe BDI-së. Tre kryebashkiakët e BDI-së dhe nënkryetarë të partisë, Teuta Arifi, Izet Mexhiti dhe Nevzat Bejta,  pas takimeve me LSDM-në deklaruan se negociatat vazhdojnë. Gjatë këtyre negociatave, përveç formimit të qeverisë së re, është diskutuar edhe për një bashkëpunim të mundshëm në zgjedhjet lokale. Porosia e fundit e BDI-së për LSDM-në ishte se nënshkrimet e deputetëve do t`i merrni kur të firmosni se i pranoni kërkesat tona. Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së, deklaroi se nuk e kanë problem të firmosin diçka që kanë premtuar dhe se nuk paraqet problem që BDI-së t`i dorëzojnë me shkrim një dokument të tillë.Por, për momentin nuk ka informacion se kjo është bërë. Në BDI përsëritin fjalinë se janë në konsultime brendapartiake, se në lojë janë pesë opcionet dhe nuk duhet të shpejtohet. Udhëheqja e BDI-së vazhdon të debatoj se a duhet t`ia jap nënshkrimet Zaevit për koalicion të ri qeveritar me LSDM-në, kurse pastaj të fillohet me bisedimet thelbësore për qeverinë e re. Zaevi i pret nënshkrimet nga BDI, të marrë mandatin, pastaj të zhvillohen negociatat për qeverinë e re. Artan Grubi nga BDI deklaroi se pa pranim paraprak të Platformës së partive shqiptare në Maqedoni, nuk do të ketë koalicion. Ndërsa Arifi, Mexhiti dhe Bejta po përpiqen që ta bindin Ali Ahmetin se qeveri reformatore është e mundshme vetëm me LSDM-në.

Maqedoninë këto ditë e vizitoi edhe komisioneri i BE-së Johannes Hahn. U shpreua se do të pritej me marrëveshje për qeverinë e re. U takua me liderët e partive politike parlamentare. Pati takim edhe me presidentin Ivanov. Erdhi me pritshmëritë se plani i Brukselit për qeveri të zgjeruar do të mirëpritet nga partitë politike. Kur e kuptoi se diçka e tillë është e pamundshme, ai vetëm deklaroi se partitë duhet të vazhdojnë negociatat dhe të tregojnë pjekuri politike.

Duke shpresuar në këtë pjekuri politike, qytetarët e Maqedonisë presin informacionin për mbledhjen e 61 nënshkrimeve të deputetëve ose edhe për një turne zgjedhor të parakohshëm parlamentar./TetovaNews