VMRO-ja e shqetësuar nga Zaevi, kërkon dorëheqjen e tij në krye të LSDM-së

Zoran Zaev duhet të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të LSDM-së dhe “të pushojë së gjeturi arsyetime qesharake duke e nënçmuar popullin”, porositi në konferencën e sotme për shtyp Kërsto Jovanovski nga VMRO-DPMNE.

“Kaluan plot 38 ditë, ndërsa Zoran Zaev nuk ka ndër mend të tërhiqet nga politika ashtu siç premtoi vetë nëse humb në këto zgjedhje, ndërsa i humbi. Kaluan më shumë se një muaj kur më 11 dhjetor ishte mposhtur politika destruktive dhe manipuluese e LSDM-së dhe e Zoran Zaevit. Populli përkrahjen më të madhe ia dha VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit “Për Maqedoni më të mirë”, ndërsa Zoran Zaev u tërhoq dhe vendosi të fshihet”, tha Jovanovski.

Kjo, shtoi ai, tregon se Zoran Zaev ka për qëllim ta mbajë peng edhe partinë e tij, por edhe tërë Maqedoninë, me një qëllim të vetëm që ta ruajë karrierën e tij politike dhe t’i shmanget përballjes me drejtësinë.

Jovanovski potencon se “dorëheqja është gjëja më e mirë të cilën Zoran Zaev mund ta bëjë për Maqedoninë”.