VMRO- Kerkojme zgjedhje te reja

VMRO-DPMNE së bashku me koalicionin “Për Maqedoni më të mirë”, që në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit të vitit të kaluar fitoi më shumë vota, bëri të ditur se nuk kanë arritur marrëveshje për koalicion me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI)

Përmes një njoftimi të këtij subjekti politik, thuhet se formimi i qeverisë duhet të jetë në funksion të mbylljes së krizës politike dhe jo në funksion të thellimit të saj. VMRO-DPMNE thotë se mbajtja e zgjedhjeve të reja është vendim i pjekur, ndërsa është në plan të parë në funksion të tejkalimit të krizës dhe vendosjes së reformave.

“Çdo vendim tjetër vetëm do të sjell konflikte të reja dhe probleme në shoqërinë edhe ashtu të ndarë, si dhe nuk do të jetë në funksion të realizimit të programeve, cilat do qofshin ata”, theksohet në njoftim.

Para njoftimit të lëshuar nga VMRO-DPMNE pak para skadimit të afatit për përbërjen e qeverisë së re, zëdhënës i BDI-së, Bujar Osmani, deklaroi se nuk kanë arritur të marrin vendim për asnjërin nga pesë opsionet e zgjedhura nga kjo parti.

“Në mënyrë unanime kemi konstatuar se ende nuk janë shterur argumentet nga këto debate. Nuk kemi argumente për t’u përcaktuar për njërin nga pesë opsionet e shtruara në tavolinë. Diskutimet do të vazhdojnë edhe në vazhdim”, tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së, i cili shtoi se bisedimet do të vazhdojnë në ditët në vazhdim.

Ndryshe, afati për formimin e qeverisë së re skadoi në mesnatë pasi që më 9 janar të këtij viti presidenti Gjorgje Ivanov, ia ndau mandatin liderit të VMRO-DPMNE-së, gjegjësisht partisë e cila në zgjedhjet e parakohshme parlamentare fitoi më shumë vota.

Kujtojmë se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit të vitit 2016, VMRO-DPMNE-ja arriti të fitoj 51 mandate, pastaj LSDM-ja 49, BDI-ja 10, BESA 5, Aleanca për Shqiptarët 3 dhe PDSH-ja 2 mandate.