Vota popullore për Clinton ndaj Trump arrin në 2 milionë

Teksa procesi i numërimit të votave në Shtetet e Bashkuara, vijon edhe tashmë që kanë kaluar dy javë nga dita e zgjedhjeve, avantazhi i Clinton ndaj Trump, në votë popullore, po i afrohet 2 milionë votave.

Gjithsesi, kjo nuk ndryshon faktin se Donald Trump është fituesi i zgjedhjeve presidenciale, pasi ai arriti të merrte shumicën e votave të Kolegjit Elektoral.

Pavarësisht kësaj, një grup ekspertësh kanë kërkuar që votat në tre shtete të rinumërohen, për të siguruar se rezultati nuk është manipuluar.

Kjo është hera e pestë në historinë amerikane që fituesi i votës popullore, humbet zgjedhjet.

Rasti i fundit ishte ai i vitit 2000, kur demokrati Al Gore gëzonte një avantazh ndaj George W. Bush, i cili gjithsesi u shpall president pas një sfide të gjatë ligjore. Gjykata Supreme ishte ajo që vendosi se Bush ishte fitues në shtetin e kontestuar të Florida-s.

Këtë vit, zonja Clinton fitoi pikë në shtete si Kalifornia, por Trump arriti të bindte të ashtuquajturat “shtete të lëkundura”, të cilat vendosën edhe rezultatin e zgjedhjeve. Sistemi i Kolegjit Elektoral favorizon kandidatët që fitojnë me marzhe të vogla në shumë shtete, mbi kandidatët që fitojnë me rezultat të thellë, por në pak shtete.

Një grup akademikësh, avokatësh dhe ekspertësh të të dhënave po përpiqen të bindin skuadrën e Clinton për t’iu bashkuar përpjekjeve të tyre për hetimin e rezultatit në tre shtete.

Ky grup kërkon të sigurohet se rezultati nuk është manipuluar nga piratë të kompjuterëve.

Ata ngrenë dyshim mbi faktin se Clinton pati një performancë të dobët në vende ku votimi ishte elektronik, ndërkohë që mori më shumë pikë në vende ku votimi u bë me anë të fletëve të votimit dhe skanerave optikë.

Por, fushata e Clinton nuk ka shprehur interes për t’iu bashkuar kësaj përpjekjeje. Ndërkohë, kandidatja e Partisë së Gjelbër, Jill Stein, po mbledh fonde për të kërkuar një rinumërim të votave në shtetet e Michigan, Wisconsin dhe Pennsylvania, të cilat u fituan nga Trump.

Sidoqoftë, humbja e Clinton në Kolegjin Elektoral ishte solide dhe avantazhi i saj në votën popullore sërish nuk mund të ndryshojë triumfuesin e këtyre zgjedhjeve presidenciale