Vrasja e ambasadorit rus, nëna e autorit: Telefonata pak para krimit

Ndërkohë që vazhdon hetimi i përbashkët mes Turqisë dhe Rusisë për vrasjen e ambasadorit rus në Ankara, Andrei Karlov, mediat turke raportojnë sot se policia ka lënë të lirë familjarët e autorit, policit 22 vjeçar Mevlut Mert Altintas.

 

Të dy prindërit, motra, dy xhaxhallarët dhe një hallë e vrasësit, i cili u ekzekutua menjëherë pasi arma e tij i mori jetën diplomatit rus, u liruan pas marrjes në pyetje në provincën Ajdin në Turqinë perëndimore.

Mediat turke raportojnë se prindërit dhe familjarët e tjerë të ndaluar nuk kanë dhënë shumë informacione, pasi sipas tyre kontaktet me të nuk ishin të shpeshta.

Ata kanë qëndruar tri net në paraburgim. Ata janë pyetur lidhje me aktivitetin e djalit, lidhjet e tij, si e kalonte kohën, a kishin kuptuar se ishte përfshirë në organizatën e Gulen, për të cilën Trqia zyrtare dhe vetë Erdogan e kanë thënë se nuk kanë më dyshime.

Avokati i familjes ka treguar për mediat vendase se “Ajo është një familje pak nën nivelin normal, si shumë familje të tjera tutrke. Ata nuk dinin asgjë për planin e të birit, nuk kishin asnjë ide”- ka thënë ai.

Por, sipas familjes ai ishte një njeri i tërhequr dhe nuk ishte shumë social, ndërkohë që prindërit dhe të afërmit e tjerë janë ende nën shok nga ajo që ndodhi.

Familja ka treguar se ai nuk jetonte me ta dhe nuk shiheshin shumë shpesh. Por pasditen e ditës së krimit ai kishte folur me ta në telefon.

Nëna, sipas avokatit ka treguar se ishte ora 16:30, ose 17:00 kur ai i thirri në telefon. Nuk pati ndonjë bisedë të gjatë, vetëm pyetje të zakonshme rreth shëndetit. “Ishte një telefonatë shumë e shkurtër”, ka treguar ai.