Xhaferi dëshmon për dhunën në Kuvend, ja çfarë thotë

 

Kreu i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, dhe deputetja e LSDM-së Frosina Remenski, dhanë dëshmitë e tyre në Prokurorinë Themelore të Shkupit për dhunën e 27 prillit.

“E informova prokurorin me të gjitha ato aspekte të ngjarjes në kuptimin e asaj që implikon kryerjen e veprave penale drejt veprimit ndaj institucionit Parlament i Maqedonisë, ndaj institucionit deputetë dhe gazetarë që ishin të rrezikuar për jetë brenda Parlamentit”, tha Xhaferi pas daljes nga Prokuroria.

Ndërsa ish-ministrja për punë dhe politikë sociale Frosina Remenski theksoi se më 27 prill dështoi tentimi për atentat mbi kryetarin e LSDM-së Zoran Zaev dhe se në këtë skenar janë përfshirë ushtria dhe policia.

Remenski apeloi që Prokuroria të hap hetim më serioz për këto ngjarje.

“Atë në të cilën unë vendosa theks të veçantë është nevoja që Prokuroria Themelore të hap hetim më serioz dhe në nivel më të lartë në pjesën e krimit të organizuar në lidhje me përfshirjen aktive të personave zyrtar në institucione të ndryshme, policor dhe të ushtrisë.

Dhe fakti që bëhet fjalë për hyrje të dhunshme dhe të organizuar të personave në objekte kyçe për sigurinë e Maqedonisë që sipas ligjeve bënë pjesë në sistem të veçantë të sigurimit të brendshëm dhe të jashtëm”, tha deputetja e LSDM-së Fronsina Remenski.

Ditë më parë dëshmi për ngjarjet e dhunshme në Kuvend dhanë edhe deputetë të tjerë të LSDM-së, sipas të cilëve më 27 prill ka pasur tentim për vrasje ndaj liderit socialdemokrat dhe prej Prokurorisë kërkuan ri-kualifikim të veprës “pjesëmarrje në turmë”.

Sipas paralajmërimeve nga Prokuroria, për të dëshmuar janë të ftuar edhe dy deputetë të VMRO-DPMNE-së. Nesër fillon gjykimi kundër nëntë personave të akuzuar për ngjarjet e përgjakshme të 27 prillit.