Xhaferi sqaron serbët se pse e mban flamurin kuq e zi në zyrë

Kryetari i ri i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi ka sqaruar për mediat serbe dhe maqedonase se pse flamuri shqiptar gjendet në zyrën e tij.

Ai këtë sqarim e ka bërë nga Brukseli, ku takoi komisionarin Johannes Hanh.

Deklarata ka bërë që Xhaferi të gjendet sërish në ballinat e mediave kryesore në Serbi.

“Mendoj se askush nuk duhet të ndjehet i kërcënuar nga flamuri, sepse ai është simbol i joni, i përkatësisë sonë, dhe në aspekt institucional mendoj se flamuri gjendet në vendin e duhur ku edhe i takon të jetë ngaqë të gjithë ne identifikohemi me atë gjatë bartjes së funksionit të caktuar”, është shprehur Xhaferi për median serbe.
Ai ka shtuar se i kupton të gjitha reagimet, por pas ndodhive të 27 prillit (kur u sulmua Kuvendi i Maqedonisë, deputetë e gazetarë) konsideron se të gjithë duhet të kuptojmë se “as flamuri e as programet politike të partive shqiptare nuk janë ata të cilat ndikojnë në jetën politike në Maqedoni, sepse janë në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe ligjet dhe se nuk cenojnë asgjë”.

I pyetur për qeverinë e re, Xhaferi është shprehur se është i detyruar ta pres 10 ditë presidentin për t’ia dhënë mandatin shumicës së krijuar në Kuvend.