Xhaka e thotë hapur: Dua të luaj në Angli

Lojtarët e Kombëtares Shqiptare po bëjnë një sezon të mirë me skuadrat e tyre në klubet europiane, duke rritur kreditet e tyre dhe duke pasur ambicie më të mëdha për karrierën e tyre. Një nga futbollistët e qëndrueshëm të përfaqësueses, është Taulant Xhaka, i cili luan me Bazelin në ligën e parë zvicerane dhe ka pasur një karrierë të suksesshme me këtë klub, duke qenë titullar bazë në formacionin e parë të kësaj skuadre. Së fundmi ai po ndjek me pasion mundësitë e një lëvizjeje të mundshme, lëvizje e cila mund të ndodhë në qershor, kur ai të marrë seriozisht mundësinë e kalimit në një klub tjetër jashtë Zvicrës e me shumë gjasë në Premier League angleze, një kampionat të cilin ai e dëshiron shumë.

Intervista 

Mesfushori kuqezi Taulant Xhaka ka bërë një rrëfim të veçantë. I intervistuar nga faqja e specializuar sportive, “bzbasel.ch”, mesfushori i Kombëtares Shqiptare nxjerr në pah një anë të panjohur. Jashtë fushës se lojës ai është një njeri aktiv që ka pasionet dhe veset apo ëndrrat e tij. i detyruar të zgjedhë mes dy alternativave, vëllai i madh i familjes Xhaka zbulon anën e panjohur të tij, por në të njëjtën kohë edhe dëshirat që e bëjnë jetën e tij më intriguese përveçse të suksesshme. Fillimisht ai pyetet se cila është loja e preferuar dhe për të FIFA mban vendin e parë, ndërsa shton se skuadra e tij e parë, Concordia Bazel do të mbetet në zemrën e tij përjetësisht. Mish apo peshk? Taulanti bën zgjedhjen e parë, ndërsa i pyetur se nëse do të kishte mundësi zgjedhjeje mes Sharlet Johanson dhe Angelina Jolie, 25-vjeçar anon nga aktorja bionde. “Të dyja janë femra shumë të bukura por Johanson më tërheq më shumë”, thekson Xhaka që gjatë javëve të fundit është vënë sërish në qendër të vëmendjes. Merkatoja mbetet e hapur por edhe pse ai është lojtar i Bazelit, ëndrra është Premier League. “Në Angli dhe në Spanjë futbolli ndryshon shumë por të dy janë kampionate magjepsës. Unë zgjidh Premier League jo sepse aty luan vëllai im por është kampionati më i mirë në planet”, thekson mesfushori shqiptar në intervistën dhënë për faqen e internetit “bzbasel.ch”.

Kombëtarja

Në lidhje me prezencën e tij në Kombëtaren Shqiptare mund të thuhet se ai e nisi si kuqezi pikërisht në eliminatoret e Europianit, ku luajti tetë takime si titullar dhe ishte nga më të dalluarit në ndeshjet kualifikuese që çuan Shqipërinë në Europianin e Francës qershorin e kaluar. Xhaka pati peshë të madhe në të gjitha ndeshjet dhe ishte këmbëmbarë, sepse edhe falë kontributit të tij u realizua ai mision historik i përfaqësueses tonë për të qenë në një veprimtari madhore siç ishte “Francë-2016”. Megjithatë, pavarësisht kësaj duket se në eliminatoret aktuale pesha e tij ka rënë paksa dhe kjo vjen nga rivaliteti i ashpër në mesfushë, ku ka shumë futbollistë si Lila, Abrashi, Kukeli, Basha e padyshim Memushaj, i cili është shndërruar në muajt e fundit në regjisor i lojës së skuadrës tonë kombëtare.

Pavarësisht kësaj, Xhaka vijon të jetë i preferuar. Ai ftohet në të gjitha takimet dhe është i gatshëm të japë më të mirën si kuqezi. I veçantë është ai edhe jashtë fushës, ku nuk lë asnjë rast pa treguar emocionet e Kombëtares kuqezi. Në tetorin e vitit 2014, Xhaka ishte protagonist në Beograd, në ndeshjen Serbi-Shqipëri e pambyllur për shkak të dhunës së serbëve ndaj ekipit tonë, ku Xhaka i priti agresorët me grusht, duke marrë pëlqimet e pamata të tifozerisë kuqezi dhe fansave të thekur e patriotë të Kombëtares së Shqipërisë. Edhe në ndeshjet që vijnë më pas, Xhaka do të jetë zgjedhje e padiskutueshme e trajnerit Xhani De Biazi, sepse ai ka forcë, grintë dhe kualitet që bëjnë diferencë. Nëse ai ia del që të kalojë në Premier në fund të sezonit, atëherë do të hedhë një hap të ri të madh në karrierën e tij profesioniste./sot.al

Adriatik BALLA