Xhelal Neziri/ Zgjedhjet lokale- A do të vazhdojë votimi joetnik?

 

Nga Xhelal Neziri

Zgjedhjet lokale në Maqedoni pritet të shënojnë një hap tjetër të madh drejt votimit joetnik. Pas zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit të vitit të kaluar, kur Lidhja Social-demokrate e Maqedonisë (LSDM) mori një numër të konsiderueshëm të votave nga shqiptarët etnikë, një trend i njëjtë duket se do të vazhdojë edhe në zgjedhjet lokale.

Sipas anketës së fundit të Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI), 43 për qind e të anketuarve janë shprehur se do të votonin kandidat të një etnie tjetër nëse i njëjti do të përfaqësonte më mirë interesat e tij, gjë që vlerësohet të jetë një përqindje më e lartë sesa ajo e zgjedhjeve parlamentare. Në anketën e realizuar gjatë muajit mars të këtij viti, periudhë kur kriza politike arriti kulmin e saj, 48 për qind kanë deklaruar se nuk do të votonin një kandidat të një etnie tjetër ndërkaq 9 për qind kanë refuzuar të përgjigjen.

Ndërkohë që përqindja e votimit për një kandidat për deputet të një etnie tjetër, i cili do t’i përfaqësonte më mirë në Parlament, mbetet e pandryshuar në krahasim me nëntorin e vitit të kaluar – 42 për qind. Ndryshimi i vetëm është rritja për dy për qind (49) e numrit të atyre që nuk do të votonin kandidatin e etnisë tjetër.

Në fund të mandatit katërvjeçar, shumica nga kryetarët aktualë rezultojnë të mos kenë përmbushur premtimet e dhëna. Rrjedhimisht, 37 për qind e të anketuarve mendojnë se komuna e tyre shkon në drejtim të gabuar, 35 janë deklaruar si neutralë ndërkohë vetëm 23 për qind mendojnë se shkon në drejtimin e duhur. Shumica e qytetarëve, pra 51 për qind e tyre janë shprehur të pakënaqur nga puna e kryetarit të komunës, 47 për qind nga këshilli dhe 46 për qind nga administrata komunale.

Përkundër diskursit publik dhe gjuhës së urrejtjes që përshkoi krizën politike, prioritetet e qytetarëve rezultojnë të pandryshuara. Si probleme kryesore në nivel komunal ngelet papunësia, e cila nga 17 për qind e të anketuarëve është përmendur si problem parësor ndërkaq nga 12 për qind si dytësor. Më pas renditen infrastruktura, planifikimi urban dhe zhvillimi, ujësjellësi, korrupsioni në nivel lokal, higjena publike, mbrojtja shëndetësore, ndotja e ambienti, transporti publik e kështu me radhë.

Edhe pas decentralizimit të pushtetit, pjesa më e madhe e qytetarëve mendojnë se pushteti qendror ka më shumë ndikim në kualitetin e jetës (59 për qind), ndërkohë që vetëm 23 për qind mendojnë se më shumë ndikim ka pushteti lokal.

Jehona e votuesve pritet të jetë e lartë edhe në zgjedhjet lokale. Të vendosur për të dalë në votime janë shprehur 61 për qind, “disi po” kanë thënë 21 për qind kurse me “disi jo” janë përgjigjur 5 për qind.

Shumica e qytetarëve, apo 77 për qind e tyre, vlerësojnë se për të fituar një vend pune në administratën shtetërore është kusht të jesh anëtar i partisë politike, kurse 59 për qind e tyre njohin raste të punësimeve partiake. Afër 30 për qind e qytetarëve mendojnë se anëtarësia partiake është kusht për të fituar një vend pune edhe në sektorin privat.

PRIORITETET E QEVERISË SË RE

Pjesa më e madhe e qytetarëve presin nga qeveria e re të krijojë vende të reja të punës (38 për qind), t’i japë fund krizës politike (29 për qind) dhe të zhvillojë ekonominë e vendit (32 për qind). Në listën e prioriteteve qytetarët presin të jetë edhe rritja e pensioneve, zvogëlimi i çmimeve dhe tatimeve, luftimi i korrupsionit dhe implementimi i Raportit të Priebes, ulja e varfërisë, të drejtat e shqiptarëve, paqe dhe stabilitet e kështu me rradhë.

Stërzgjatja e krizës politike dhe frika nga përkeqësimi i situatës ka bërë që të ketë ndryshim edhe në listën e problemeve, të cilat ballafaqohet Maqedonia. Kështu, kriza politike është apostrofuar si problemi numër një i vendit (45 për qind), papunësia (37 për qind), varfëria (23 për qind), kriza ekonomike (18 për qind), ndërkohë që Platforma shqiptare është parë si problem për 7 për qind të qytetarëve.

Shumica e qytetarëve janë shprehur se vendi lëviz në drejtim të gabuar – 56 për qind, që është për 8 për qind më i lartë se nga anketa e realizuar në nëntor të vitit 2016. Vetëm 14 për qind mendojnë se lëviz në drejtim të duhur, përqindje kjo më e ulët e regjiostruar në anketat e IRI-t që nga viti 2008.

Në pyetjen nëse është e nevojshme të ketë zjgjedhje të reja parlamentare, të cilat janë kërkesë e VMRO-DPMNE-së, 44 për qind janë përgjigjur pozitivisht, 41 për qind me “jo” ndërkaq 15 për qind kanë refuzuar të përgjigjen.

Lidhur me vendimin e presidentit të shtetit Gjorgje Ivanov që të mos i japë liderit të LSDM-së Zoran Zaev mandatin për formimin e qeverisë së re, 36 për qind kanë thënë se në tërësi nuk e përkrahin këtë vendim të presidentit, 7 për qind “disi nuk e përkrahin”, 34 për qind “në tërësi e përkrahin”, 11 për qind “disi e përkrahin” kurse 12 për qind nuk janë përgjigjur.

Por, kur janë pyetur nëse presidenti i shtetit duhet t’ia japë mandatin liderit të një partie që ka siguruar shumicë në Parlament, atëherë 50 për qind janë përgjigjur me “po”, 22 për qind mendojnë se nuk duhet, 12 për qind kanë thënë se varet nga pasojat për shtetin, 5 për qind janë përgjigjur me “varet për cilin lider bëhet fjalë” kurse 10 për qind kanë refuzuar të përgjigjen.

Më pak besim në opinion ka Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, ku besojnë vetëm 15 për qind e të anketuarve. Më pastaj renditen partitë politike me 16 për qind besim, gjykatat (21), mediat (21), prokuroria publike (22), parlamenti (23), Komisioni Shtetëror Zgjedhor (25 për qind), komunat (28), qeveria (29), sistemi shëndetësor (36), presidenti i shtetit (38 për qind), prokuroria speciale (39) kurse besim më të lartë ka rezultuar të ketë sistemi arsimor me 42 për qind.

Prokuroria Speciale vazhdon të ketë përkrahje të madhe në opinion me 53 për qind, duke shënuar rritje për dy për qind në krahasim me anketën e nëntorit të vitit të kaluar.

Derisa vitin e kaluar ka qenë i ndarë mendimi lidhur me funksionimin e shtetit të së drejtës në Maqedoni, në këtë anketë 57 për qind e qytetarëve janë përgjigjur se shteti i së drejtës nuk ekziston.

ÇËSHTJET E SHQIPTARËVE ETNIKË

Rritja e standardit të jetesës dhe zvogëlimi i varfërisë kanë rezultuar të jenë prioriteti i pari i shqiptarëve etnikë në Maqedoni (34 për qind). Integrimi në BE dhe NATO është prioriteti i dytë me 33 për qind ndërsa hapja e vendeve të reja të punës rradhitet në vendin e tretë me 28 për qind. Përdorimi më i gjerë zyrtar i gjuhës shqipe është në vendin e katërt me 28 për qind, kurse më pas renditen përfaqësimi i drejtë në institucione (19 për qind), gjyqësi e departizuar që do të trajtojë të gjithë njësoj (14 për qind), institucione efikase dhe të drejta (12 për qind) kurse 2 për qind nuk janë përgjigjur.

Lidhur me përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në nivel shtetëror, 49 për qind e tyre kanë thënë se janë “shumë të pakënaqur”, 28 për qind “disi të pakënaqur”,  2 për qind “shumë të kënaqur”, 19 për qind “disi të kënaqur” kurse 2 për qind nuk janë përgjigjur. Kurse, në nivel lokal vetëm 29 për qind e shqiptarëve kanë thënë se janë “shumë të pakënaqur”, 28 për qind janë përgjigjur me “disi të pakënaqur”, 3 për qind me “shumë të kënaqur”, 36 për qind me “disi të kënaqur” kurse 4 për qind nuk janë përgjigjur.

Pjesa më e madhe e qytetarëve mendojnë se platforma e përbashkët e partive politike shqiptare është pozitive edhe për të drejtat etnike të shqiptarëve, edhe për marrëdhëniet ndëretnike (37 për qind) ndërkohë që 27 për qind vlerësojnë se është pozitive për të drejtat e shqiptarëve, por negative për marrëdhëniet ndëretnike, 21 për qind kanë thënë se negative në të dyja rastet derisa 6 për qind nuk kanë dëgjuar se ka një deklaratë të tillë.