Zaev dhe PSP-ja amnistojnë ministrat e BDI-së?

Emrat e ministrave të ardhshëm, të përmendur për përfshirje në afera, jo zyrtarisht, morën sot amnistinë nga Prokuroria Speciale dhe kryeministri i ardhshëm Zoran Zaev, i cili ditë më parë, publikisht kërkoi ndihmën e autoriteteve për skanimin e veprimtarisë së emrave të tyre. Ndonëse burime të televizionit Alsat M, si nga Prokuroria Speciale ashtu edhe nga Prokuroria Publike shpjegojnë se ndaj ministrave të ardhshëm Osmani e Merko ka procedura parahetimore, qëndrimi i deritanishëm zyrtar është se procedurat hetimore janë publike, dhe të tilla nuk ka ende për këto figura, por për procedura hetimore, ligji për procedurë penale është i qartë se ato mbahen të fshehta, pasi do të dëmtonin vetë procesin hetimor. Për aq kohë sa ato nuk konkretizohen, atëherë Osmani e cilido tjetër zyrtar nuk mund të konsiderohet si nën akuzë.

Siç mëson ALSAT, procedura parahetimore e nisur rreth një vit më parë ndaj Osmanit, ka të bëjë me dyshimet për shpërdorim të fondeve në kohën kur ka qenë ministër i shëndetësisë. Në bombat e opozitës, emri i Osmanit përmendet si ministri i cili ka keqpërdorur 400 mijë euro për rinkonstruimin e spitalit shtetëror. Emrin e Osmanit e pati përmendur edhe vetë Zaev, por si i paditur nga LSDM-ja.

Janë proceduar padi ndaj Bujar Osmanit, Musa Xhaferit dhe për disa politikanë tjerë në lidhje me Zonën industriale në Tetovë, avokatët e mi e dinë më mirë. Megjithatë nuk është me rëndësi çfarë kemi paditur ne. Prokuroria Speciale Publike me materialet që i pranoi do të verifikojë kriminalitetin edhe në raste të tjera – deklaroi ZoranZaev, Mandatar për formimin e Qeverisë.

Por, Osmani, i pyetur sot nga ALSAT, tha se i garanton publikut se nuk është i përfshirë në afera.
ALSAT: E shihni veten të pastër para opinionit ju si Bujar Osmani?

B.O: Do të merrni përgjigje sot nga PSP dhe ZoranZaev.

ALSAT: Për çdo gjë i garantoni opinionit?

B.O: Absolutisht se po.

I sigurt në pastërtinë e tij politike është edhe ish kreu i Strugës, Ramiz Merko, tani kandidat për ministër pa resor. Merko së fundi u përfol për ndjekje penale nga Prokuroria Publike për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe keqpërdorim të procedurave gjatë shpalljeve publike.
ALSAT: Në hetimet e fundit të Prokurorisë Publike dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare si ish kryetar i Strugës. 

R.M: Kërkoni në Prokurori!
ALSAT: Jeni i sigurt para opinioni?
ALSAT:Garantoni se nuk jeni të inkriminuar në asnjë rast?

R.MKërkoni në Prokurori!
ALSAT:Nga PSP?

R.M: Kërkoni në Prokurori!
ALSAT:Çdo gjë të kërkojmë në Prokurori?

R.M: Sigurisht?
ALSAT: I garantoni opinionit para se të kërkojmë ne?

R.M: Sigurisht.

Njëjtë si Merko dhe Osmani mendon edhe kandidati për ministër i Ekologjisë, Sadulla Duraku. Ndonëse nga revizioni shtetëror në kohën kur Duraku kishte drejtuar ministrinë e Bujqësisë  kishte konstatuar mungesën e miliona eurove, ai dyshimet i quan përralla.
ALSAT:Si i komentoni informacionet se SadullaDuraku si ministër i ardhshëm mund të jetë i inkriminuar?

S.D: Këto janë përralla me tupan.
ALSAT: Të kujt?

S.D: Të portaleve dhe njerëzve që nuk e duanë të mirën e vendit.
ALSAT: I garanton SadullaDuraku opinionit se është i pa inkriminuar në çdo gjë?

S.D: Jo që garantoj, por Sadulla Durakun e njohin të gjithë se asnjëherë nuk ka qenë i korruptuar, nuk është i inkriminuar dhe ka punuar për të mirën e këtij vendit.

Mandatari për formimin e Qeverisë së re Zoran Zaev ditë më parë dërgoi kërkesë në Prokurorinë Speciale Publike për të marrë përgjigje në pyetjet nëse ministrat e kabinetit të tij qeveritar janë të dyshuar apo ndaj ndonjërit është ngritur akuzë për ndonjë vepër penale. Sipas burimeve, PSP-ja duhet të merrte vërtetime nga të gjitha institucionet përgjegjëse, dhe më pas t’ia depozitonte mandatarit. Deri tani, PSP nuk ka nxjerrë me shkresë zyrtare qëndrimin e saj edhe publikisht, për emrat e kabinetit të ri.

Adrian Kerimi