Zaev nga e hëna pret ftesën e Ivanovit për të marrë mandatin për formimin e qeverisë së re

 

 

Me gjasë, pas fundjavës, lideri i LSDM-së Zoran Zaev do të presë ftesë për t’u takuar me kryetarin e shtetit Gjorgje Ivanov për të biseduar rreth dorëzimit të mandatit për formimin e qeverisë.

Pasi nga kabineti i Ivanovit konfirmuan se ai ndodhet në një forum liderësh në Turqi, mundësia për realizimin e takimit do të shqyrtohet nga e hëna. Zaev, si i ftuar në TV21 deklaroi se është i gatshëm të shkojë tek Ivanovi në emër të partnerëve potencial për koalicion dhe sa më parë ta marrë mandatin, me çka do të fillonin negociatat rreth kabinetit të ri qeveritar.

“Jam i gatshëm që javën e ardhshme të shkojë tek Ivanovi sapo të kthehet nga udhëtimi. Ta vizitoj kur të fillojnë të rrjedhin dhjetë ditët, në emër të të gjithë partnerëve tanë potencial për të koalicionuar që i dhanë 67 nënshkrimet. Unë e di se nuk do të më nevojiten 20 ditë që të formoj kabinet qeveritar. Këtë do ta bëj sa më parë, me qëllim kthimin e institucioneve sa më shpejtë që të jetë e mundur”, tha Zoran Zaev, Kryetar i LSDM-së.

Një pjesë e politikanëve në vend vërejnë një zbutje të qëndrimit të Ivanovit pas vizitës së zyrtarit amerikan Brajan Hojt Ji. Ish kryetari i Kuvendit Tito Petkovski konsideron se Ivanov tanimë nuk mund të ketë justifikime për të mos e dorëzuar mandatin.

“Maqedonia ka nënshkruar marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka nënshkruar edhe Antonio Milloshovski. Sipas kësaj marrëveshjeje, garantohet integriteti territorial dhe karakteri unitar i Maqedonisë. Dikush ia ka kujtuar se stabilitetin e Maqedonisë e garantojnë amerikanët dhe supozoj se kjo ka qenë shkak për zbutjen e qëndrimit të tij, duke i ftuar amerikanët për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës”, u shpreh Ish-kryetari i Kuvendit të RM, Tito Petkovski.

Edhe njeriu i parë i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov, dikur partner koalicioni me Gruevskin, thotë se Ivanov disa herë e ka shkelur Kushtetutën, por tani ai nuk ka zgjedhje tjetër, përveç që mandatin t’ia dorëzojë shumicës parlamentare të re.

“Pas takimit me Hojt Ji, është e sigurt se ai i kanë pranuar të gjitha sugjerimet, se është jetik formimi i qeverisë, në funksion të stabilizimit të vendit. Mendoj se nuk ka gjasa që Ivanov tani të justifikohet. Ai është dashur mandatin t’ia kishte dhënë Zaevit ditën që e ka pranuar letrën e kryetarit të Kuvendit – Talat Xhaferit dhe të fillonin proceset rreth formimit të qeverisë”, tha Pavle Trajanov, Kryetar i LD.

Nga kabineti i Ivanovit pardje konfirmuan se e kanë pranuar letrën e nënshkruar nga Talat Xhaferi ku ai e informon Ivanovin se është konstituuar shumica parlamentare. Nga kabineti deklaruan shkurt se kryetari i shtetit do të veprojë në pajtim me Kushtetutën e vendit.