Zaev nuk rrezikon në Shkup me kandidat shqiptar, refuzon Zekirin për Shilegovin

Nga Mensur Krasniqi
LSDM e kryeministrit Zoran Zaev ka publikuar një pjesë të kandidatëve për kryetar komunash për zgjedhjet lokale, të cilat pritet të mbahen më 15 tetor të këtij viti.
Ndonëse në garë për qytetin e Shkupit si kandidatë potencial përmendej deputeti shqiptar Muhamed Zekiri, LSDM vendosi që të garojë me Petre Shilegovin.
Përveç Shilegov, si kandidatët të tjerë në komunat e Shkupit nga rradhët e LSDM-së, janë: Zllatko Marin në Aerodrom, Velimir Smilevski në Butel, Borçe Georgievski në Gazi Babë, Aleksandar Naumovski në Gjorçe Petrov, Stefan Bogoev në Karposh dhe Filip Temelkovski në Kisela Vodë.
Në komunat e tjera të Maqedonisë, kandidat i LSDM-së për komunën e Haraçinës do të jetë Milikije Halimi, në Bogdanci, Bllashko Shapov, Bërvenicë, Mirko Stojanovski, Vallandovë, Pero Kostadinov, Vevçan, Sasho Jankoski, Vinicë, Ivica Dimitrov, Demir Kapi, Lazar Petrov, Zelenikovë, Borçe Gievski, Jegunoc, Darko Bllazhevski, Karbinci, Jordan Nasev, Konçe, Bllagoj Iliev, Krivogashtan, Rubiçno Shefterovski, Krushevë, Tome Hristoski, Mogillë, Jasmina Gulevska, Novaci, Lube Kuzmanovski, Novo Sellë, Boro Stojçev, Ohër, Jovan Stojanovski, Pehçevë, Dragan Trençevski, Sopishte, Dalibor Bogdanovski, Çashka, Goran Stojanovski dhe për komunën e Shtipit, Bllagoj Boçvarski.
Nëse i referohemi listës së publikuar për komunat e Shkupit, LSDM ka anashkaluar komunën e Çairit. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, LSDM arriti që historikisht të dalë fituese për nga numri i votave në komunën Çair e cila udhëhiqet me dekada nga një parti shqiptare.
Moskandidimi i LSDM-së në komunën Çair ngre pikëpyetjet nëse kjo parti ka marrëveshje me ndonjërën prej partitë shqiptare që të tërhiqet nga gara për këtë komunë, dhe si shpërblim merr votat e partive shqiptare në qytetin e Shkupit, ku LSDM pretendon t´ia fitojë VMRO-së.
Një dilemë tjetër e cila përflitet është se LSDM po kalkulon mundësinë e kandidimit me një kandidat shqiptar në Çair, dhe kështu thyen tabunë se kjo komunë i takon vetëm partive shqiptare. /tesheshi.com/