Zaevi i dorëzon firmat Ivanovit: Pres kalim të qetë të pushtetit

Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev u paraqit në presidencë duke dorëzuar firmat, me të cilat i kërkon mandatin presidentit Gjorge Ivanov. Zaev arriti të sigurojë 67 nënshkrime, përfshirë këtu 10 nga BDI-ja, 5 nga BESA dhe 3 nga Aleanca për Shqiptarët. Zaev pret tani që brenda ditës ose në ditët në vijim, kreu i shtetit t’i ofrojë zyrtarisht mandatin për krijimin e qeverisë së re. Në deklaratën e shkurtër për mediat, Zaev tha se pret tranzicion të qetë të kalimit të pushtetit. Në vizitën e tij në rezidencën presidenciale, Zaev shoqërohet nga nënkryetarja e partisë Radmilla Sheqerinska si dhe sekretari i përgjithshëm i LSDM-së Oliver Spasovski.


Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, është duke mbajtur  në këto momente një mbledhje me partnerët e koalicionit parazgjedhor maqedonas ”Për jetë në Maqedoni”, dhe jo zyrtarisht mësohet se mbas këtij takimi me ta, në orën 14 do të paraqitet në Presidencë për t’i dorëzuar nënshkrimet presidentit të vendit Gjorge Ivanov. Takimi me partitë e koalicionit po mbahet në selinë e LSDM-së në rrugën Bihaçka në Shkup. Partitë e koalicionit ”Për jetë në Maqedoni” janë në pritje të takimit të Zaevit me presidentin Gjorge Ivanov, ku Zaev pritet të merr mandatin për të krijuar qeverinë e re të Maqedonisë, pas marrjes së nënshkrimeve nga deputetët e BDI-së, Lëvizjes Besa dhe Aleancës për Shqiptarët.