Zaevit i ngutet për Qeverinë, gati të takojë tri partitë shqiptare

Liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, i ngutet të formojë Qeverinë. Ai, pas takimit me kryetarin e Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, ka thënë se takimi i sotëm bëhet me qëllim afrimin e qëndrimeve që më pas, bashkë me BDI-në, LR-PDSH dhe BESËN të ulen për të definuar qeverisjen. “Ne sot deshëm të takohemi, sepse më herët nuk kishim mundësi për takime pasi ishim të orientuar nga Ivanovi. Sot morëm iniciativë për takime me Lëvizjen BESA, për shkak se kryesia e BDI-së ishin të zënë me një rast vdekje. Për këtë arsye, shfrytëzuam rastin të takojmë partinë e dytë më të madhe shqiptare që ka fituar më shumë vota. Me kryetarin Kasami u morëm vesh që në kemi kujdes për afatet. Në fillim do të kemi takim me BDI, BESËN dhe pastaj LR-PDSH-në, me të vetmin qëllim që ti afrojmë qëndrimet e përgjithshme dhe më pas të ulemi të gjithë së bashku. Qëllimi im si mandatar është që sa më shpejt të përfundojmë këto procedura, pasi që na presin subvencionet, presin nxënësit që të anulohet testimi ekstern, presin familjet e rasteve sociale. Po ashtu edhe PSP është në pritje, për arsye se një pjesë e mandatit të tyre mbaron në fillim të qershorit, ndërsa pjesa e dytë në fund të qershorit. Besoj se ata do të përfundojnë deri në fund, jo vetëm përmes Ligjit për mbrojtje të dëshmitarëve, por edhe duke ua vazhduar mandatin…”, ka thënë Zaevi.