Zbulohet varrezë masive në oborrin e Ahmetit(VIDEO)

Një varrezë masive është zbuluar në oborrin e shtëpisë së kreut të BDI-së, Ali Ahmetit, në Zajaz të Kërçovës, e cila dyshohet se daton që nga viti 1913, ndërsa në të, sipas dëshmitarëve të fshatit Zajaz, dyshohet të jenë varrosur trupat e vrarë të rreth 60 banorëve të Zajazit.

Ish kryetari i komunës së Zajazit Musli Musliu tha se ekipet hetuese kanë filluar procedurën hetimore bashkë me prokurorin dhe së shpejti pritet të dalin me të dhëna konkrete.

“Në këtë vend sipas informacioneve vendore dhe historianëve vendor dhe atyre ndërkombëtar, këtu mendohet të ketë dhjetë deri në gjashtëdhjetë njerëz të cilët janë të ekzekutuar. Janë të këtij vendi të këtij rrethi, pra Zajaz Xhuma”, theksoi  Musli Musliu ish kryetar i komunës së Zajazit.

Sipas të dhënave paraprake besohet se tek eshtrat e zbuluar  është vërejtur edhe djegie e trupave të cilat pasi janë vrarë janë hedhur në pus.

“Këtu shohim një krim të paparë për njerëzimin. Shohim eshtra që janë nxjerrë nga pusi, eshtra që paraprakisht janë djegur. Por për hir të hetimeve dhe organeve kompetente për hetim ne nuk do themi asnjë fjalë për atë çka dimë”, u shpreh Musli Musliu ish kryetar i komunës së Zajazit.

Ndryshe, në Kërçovë, kjo është varreza e dytë masive e zbuluar muajve të fundit, pas shpellës së zbuluar në Malësinë e Kërçovës, ku po ashtu janë gjetur deri më tani, rreth 60 kafka dhe mbetje tjera mortore tjera për të cilat po ashtu me urdhër të prokurorisë publike është hapur hetim.

Bashkim Sulejmani